Aktualitet Avokati: Izet Haxhia do marrë statusin e të mbrojturit; i kanë kërcënuar...

Avokati: Izet Haxhia do marrë statusin e të mbrojturit; i kanë kërcënuar edhe të fejuarën

Izet Haxhiaj pritet të fitojë statusin e të mbrojturit të drejtësisë. Lajmin e ka dhënë vetë avokati i tij, Idajet Beqiri i cili ka shtuar se janë marrë masa të shtuar për sigurinë e jetës së Haxhisë në burgun 302, por gjithashtu edhe të fejuarës së tij, Eriona Paruca, pasi është kërcënuar me vdekje.

Duke marrë shkas nga aksidenti i ndodhur më 9 tetor gjatë shoqërimit në Gjykatë, ku Haxhia dhe avokati i tij pretendojnë se ishte një ngjarje e mirëorganizuar me qëllimin eliminimin e tij, Beqiri thotë se ditën e sotme ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha do të nisë deponimet si dëshmitar okular në krimet e këtij të fundit.

“Izet Haxhiaj pritet të fitojë statusin e të mbrojturit të drejtësisë, ndërkohë që sot rifillojnë deponimet e tij si dëshmitar okular kundër krimeve të kryera nën nxitjen, frymëzimin dhe organizimin e Sali Berishës.

Pas incidentit të rëndë të datës 9 tetor 2019 kundër Izet Haxhisë dhe fillimit të procedimit penal nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për këtë ngjarje, si dhe pas ndërprerjes për një javë të deklarimeve të këtij dëshmitari okular kundër Sali Berishës për krimet e kryera gjatë viteve 1991-1999, institucionet përkatëse, duke filluar nga Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit dhe deri te Ministria e Drejtësisë, kanë marr një serë masash në mbrojtjen dhe sigurinë e jetës së Izet Haxhisë dhe të fejuarës së tij Eriona Paruca.

Janë marre masa të posaçme sigurie në Burgun 302 ndaj Izet Haxhisë. Thuajse ka ndryshuar plotësisht i gjithë regjimi i ruajtjes së tij, i kontrollit të ushqimit, i shoqërimit të tij në takimet me avokatin, me të fejuarën e tij, gjatë komunikimeve telefonike etj”, tha Beqiri.

Ai shtoi se është marrë janë shtuar edhe masat e sigurisë ndaj të fejuarës së Izet Haxhisë, Eriona Paruca sepse në adresë të kësaj të fundit kanë mbërritur një sërë kërcënimesh, kanosje për vrasje, poshtërime dhe fyerje.

“Në kushtet kur veç avokatit të tij, i vetmi person që po i qëndron pranë, që plotëson nevojat e tij dhe që ndihmon Izet Haxhinë është e fejuara e tij, Eriona Paruca, janë eleminuar plotësisht incidentet e qëllimshme kundër saj në raport me takimet dhe kontaktet me Izet Haxhinë si dhe janë marr me seriozitetin e duhur dhe po trajtohen ligjërisht të gjitha kërcënimet e rënda, fyerjet, poshtërimet dhe kanosjet për vrasje që i janë bërë asaj prej disa individëve konkret dhe anonim në faqet e Facebook, në telefon etj.

Unë, si përfaqësues dhe mbrojtës ligjor i Izet Haxhisë, si dhe vet Izet Haxhiaj, i kemi kërkuar prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që, për vet natyrën e deponimeve të Izet Haxhisë, për krimet e rënda që janë kryer dhe që po zbardhen prej tij, për subjektin kryesor, autorin e kryerjes së këtyre veprave me rrezikshmëri të lartë dhe pasoja të rënda për Shqipërinë, siç është ish-Presidenti i Republikës Sali Berisha, për rrezikshmërinë potenciale që paraqet ai edhe aktualisht në zhdukjen e provave dhe të dëshmitarëve okularë, t’i jepet Izet Haxhisë Statusi i të mbrojturit të drejtësisë.

Të përgjegjshëm se një vendimmarrje e tillë për t’i dhënë Izet Haxhisë statusin e të mbrojturit nga drejtësia do kohën dhe procedurat e veta, ditën e premte që kaloi, pas takimit me oficerin e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në ambientet e Burgut 302 në Tiranë, i deklaruam atij se Izet Haxhiaj do të vazhdoj rregullisht deponimet e tij, si më parë, pranë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke filluar nga dita e sotme dhe ditët në vijim”, përfundoi Beqiri.