Gjykata e Posaçme ka dhënë, këtë të mërkurë, masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Mbi të rëndojnë tri akuza, ajo e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave lidhur me çështjen e inceneratorëve.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Kokës, Fatmir Braka, u shpreh se klienti i tij është i pafajshëm dhe se nuk është aspak normale që ai të arrestohej, pasi sipas tij, nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me çështjen për të cilën akuzohet.
“Lefter Koka mbajti atë qëndrim që i përgjigjet të vërtetës dhe realitetit, që është krejtësisht i pafajshëm. Ai akuzohet për shpërdorim detyre në pozicionin e mjedisit dhe konfirmoi se nuk ka asnjë përgjegjësi në lidhje me procedurat që janë aplikuar.
Ai akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa të gjitha dokumentet që ai paraqiti edhe sot në gjykim tregohet se aty nuk ka asnjë përgjegjësi”, tha avokati Braka.
Ai theksoi se në seancën e sotme prokuroria nuk hodhi akuza se ish-ministri ka marrë 3.7 mln euro në formë ryshfeti.
“Prokuroria nuk ka thënë se ka marrë 3,7 milionë, përkundrazi dhe për akuzën e korrupsionit duhet të provohet.
Nuk është normale që ai të jetë person nën hetim, pasi nuk është pyetur asnjëherë për këtë çështje. Nuk është normale që Lefter Koka, pavarësisht pozicionit që ka pasur, pasi unë them se fillimi i këtij procesi ka qenë politik. Nuk është normale që një ish-ministër të merret nën hetim befas, kur nuk është pyetur asnjëherë. Nuk është normale që ish-ministri të merret i arrestuar. Ai u gjet në banesë, i priti edhe oficerët”, u shpreh avokati.