I ftuar në emisioni “Rudina” në Tv Klan, ka qenë Baba Mondi i cili gjatë intervistës është shprehur se në Shqipëri 50% e njerëzve janë besimtarë bektashinj dhe se regjistrimet janë bërë gabim.
Rudina Magjistari: Baba Mondi keni të dhëna, sa besimtarë bektashinj ka në Shqipëri?
Baba Mondi: Gati gjysma e popullsisë shqiptare janë besimtarë bektashinj.
Rudina Magjistari: 50%?
Baba Mondi: Po, pavarësisht se politika apo regjistrimet që janë bërë janë të gabuara. Ne kemi filluar regjistrimin vetë për t’i treguar njerëzve se sa bektashinj ka në Shqipëri. Nga 70% e myslimanëve në Shqipëri, 50% janë bektashinj.
Rudina Magjistari: Këto janë statistikat dhe të dhënat tuaja?
Baba Mondi: Jo, jo janë dokumentet edhe sikur të mos duam ne. Merren regjistrimet e Zogut dhe jo regjistrimet sipas politikës. Ne jemi 2%. 2% jemi ne në Shqipëri? Nuk janë 2% por kjo është politika që ka ngatërruar gjëra të tilla. Megjithatë ne nuk kemi kundërshtuar pavarësisht se kemi filluar regjistrimin vetë. Ka 848 tyrbe në Shqipëri dhe 116 teqe.
Baba Mondi: Kush e ka gruan të mirë, është i ngrënë e është i pirë
Baba Mondi ka folur edhe për rolin e gruas në familje. Ai është shprehur se një grua e mirë mund të mbajë familjen e bashkuar dhe jo të përçarë, madje ato udhëheqin edhe njerëzimin.
Baba Mondi: Familjarët duhet të jenë të bashkuar dhe jo të përçarë. Këtu rol të madh luajnë gratë, nënat, motrat, të cilat duke qenë të përgatitura, ato e udhëheqin dhe njerëzimin. Gratë janë nënat, ato rrinë me fëmijët, ato i edukojnë, kjo është bektashizmi. Në bektashizëm falen në një faltore edhe burrat edhe gratë, nuk ndahen veç.
Rudina Magjistari: Për këtë arsye ju bëni diferencën dhe konsideroheni si një besim shumë i emancipuar.
Baba Mondi: Kush e ka gruan të mirë është i ngrënë dhe i pirë. Parajsa ndodhet në këmbët e nënës.