Aktualitet Babai dhe dy djemtë kapen me kallash në krah duke ruajtur parcelën...

Babai dhe dy djemtë kapen me kallash në krah duke ruajtur parcelën me kanabis

Dy djem dhe babai i tyre nga fshati Tozhar i Poliçanit janë arrestuar në flagrancë nga policia, teksa ruanin një parcelë ku ishin kultivuar 125 bimë kanabisi.

Uniformat blu gjatë arrestimit të tre anëtarëve të familjes Dyrmishi, kanë gjetur edhe tre armë gjahu, me të cilat babai dhe dy djemtë ruanin bimët narkotike.

Po ashtu blutë kanë ndalur në qytetin e Durrësit, 63-vjeçarin Gëzim Vzhari pasi bimët ishin kultivuar në tokën në pronësi të tij, në fshatin Tozhar.

Edhe vëllai i 63-vjeçarit, shtetasi me iniciale H. V., 59 vjeç u procedua në gjendje të lirë pasi iu gjet në banesë një armë gjahu pa leje.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar dhe të DVP Berat finalizuan fazën e dytë të operacionit policor antikanabis të koduar “Tomorri”.

Në kuadër të kësaj faze u arrestuan shtetasit H. D., 58 vjeç, F. D., 32 vjeç dhe A. D., 29 vjeç (babai dhe 2 djemtë). 32-vjeçari u kap në flagrancë teksa ujiste bimët narkotike që kishte kultivuar në fshatin Tozhar, në bashkëpunim me 2 të arrestuarit e tjerë, 125 bimë cannabis sativa të cilat u asgjësuan nga Policia, nëpërmjet djegies. Nga kontrollet, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan 3 armë gjahu që posedoheshin pa leje, me qëllim ruajtjen e sipërfaqes me bimë narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.