Gazetari Spartak Koka ka sjellë në emisionin “Opinion” detaje të tjera në lidhje me ngjarjen e vitit 2006, kur autori i vrasjes së Mateo Vasiut, Klodian Çalamani së bashku me xhaxhain e viktimës, dhunuan një 16-vjeçare. Gazetari tha se vajza ngacmohej nga xhaxhai i Mateos, Florian Vasiu, por ajo ka qenë e lidhur.
Në pamundësi për t’u marrë me të dashurin e vajzës, Florian Vasiu dhe Klodian Çalamani, duke përdorur si karrem motrën e këtij të fundit, kanë futur në shtëpinë e Çalamanit adoleshenten dhe kanë nisur ta dhunojnë. Madje, Çalamani ka tentuar që ta godasë me shishe birre në kokë si edhe ta çajë me xham në pjesën e gjoksit.
Por në këtë rast ka qenë babai i Mateos i cili ka ndërhyrë dhe ka bërë të mundur shpëtimin e vajzës.
“Vajza është ngacmuar nga xhaxhai i viktimës, Mateos, në vitin 2006. Ka qenë e lidhur me dikë tjetër dhe i ka dalë par gocës, i kërkonte numrin e telefonit. Ajo i thoshte jam e lidhur, nuk keni punë. I dashuri i vajzës i ka thënë është e dashura ime dhe ka dashur të godasë xhaxhain e Mateos. Ky i fundit në pamundësi për t’u marrë me të dashurin e vajzës, të nesërmen në bashkëpunim me motrën e Klodian Çalamanit e cila e ka tërhequr, është përdorur si karrem. I ka thënë, “hajde të lutem më ndihmo se dua të blej disa gjëra tek marketi. Ajo i ka thënë që jam me rroba të papërshtatshme. “Hajde të lutem se e kam urgjente”. Kanë dalë në rrugë dhe motra i ka thënë hajde të shkojmë te shtëpia ime që të marrim shapkat mos të dalësh zbathur. Sapo janë futur tek shtëpia e prisnin brenda xhaxhai Florian Vasiu. Florian Vasiu dhe Klodian Çalamani futen direkt dhe e godasin me shpulla, e dhunojnë. Minorene vajza. E vendosin në krevatin e mesit të dhomës. Klodian Çalamani në këtë moment merr shishen e birrës dhe tenton ta godasë në kokë. Vajza tregon se ka bërë një ulje instinktive që mos ta dëmtonte. Në këtë moment është një veprim i pashpjegueshëm i Çalamanit, merr copat e xhamit dhe godet veten, fytyrën. I ka thënë vajzës që me këto shenja do të të lë një shenjë tek gjoksi që ta kesh kujtim gjithë jetës nga ne. Pikërisht në këtë moment, babai i Mateos ka ndëhyrë. Ka dëgjuar këtë sherr dhe ka ndërhyrë për ta shpëtuar vajzën. Vajzën e mbante shtrënguar Klodian Çalamani dhe donte ta godiste. Po mos të kishte ndërhyrë babai i Mateos vajza do të ishte vrarë nga xhaxhai i Mateos dhe nga Klodian Çalamani”, tha Koka.
Për këtë vepër penale Çalamani u dënua me 4 vjet burg. Por gazetari tha se edhe përpara këtij dënimi në 2006-n, 38-vjeçari ka vuajtur dënime të tjera me nga 3 muaj deri në 5 muaj në qeli për vjedhje të rëndomta.