Te Barcelona kanë nisur “manovrat e mëdha” për rinovimin e kontratës së Leo Messit. Ardhja e Joan Laportas në presidencë sigurisht ka zbutur marrëdhëniet mes palëve dhe, siç nënvizon “Sport”, përshtypja është se kampioni argjentinas tani është i bindur për ta vijuar karrierën e tij të jashtëzakonshme me fanellën katalanase.
Një rol vendimtar, siç u përmend, luan Laporta, i cili siguroi që marrëdhënia e tij me sulmuesin të ishte shumë e mirë. Objektivi i tij është ta bindë “Pleshtin” që të qëndrojë, pavarësisht sirenave të PSG-së.
Jorge Messi, babai dhe njëkohësisht menaxheri i lojtarit, sipas transmetuesit “TV3”, kohët e fundit është afruar ndjeshëm me drejtuesit e klubit.
Sipas mediave katalanase, Laporta nuk ka bërë ende një propozim ekonomik, sepse deri në mes të majit ai nuk do të jetë në gjendje të kuptojë me saktësi financat e klubit. Laporta i ka thënë Messit që të ketë durim. 6 herë fituesi i “Topit të Artë”, do të pranonte një kontratë shumëvjeçare: dy vjet të tjera në ekipin e parë, para se të përfundonte karrierën e tij si lojtar në MLS, ku ai gjithashtu do të jetë ambasador i klubit “blaugrana”, dhe më në fund të kthehet te Barcelona për të marrë një rol drejtuesi.
Dëshirat e Messit
Ylli i Barçës do të donte një kontratë të ngjashme me atë që Navarro nënshkroi në basketboll: një marrëveshje 10-vjeçare, që do ta lejonte atë të luante edhe disa sezone në “Camp Nou”, para se të provonte një përvojë në MLS. Pasi të “varë këpucët në gozhdë”, ai planifikon t’i bashkohet zonës sportive të Barcelonës, me rol drejtuesi. Por jo vetëm kaq: Jorge Messi ka dhënë garanci për gatishmërinë e djalit të tij, se pranon ta ulë rrogën, por me kushtin që ato para të përdoren për të sjellë një emër tjetër të madh, me të ardhme të sigurt si, për shembull, Haaland. Gjithashtu, përpjekja për të rikthyer Neymar nuk do të ishte keq. Brazilianit do t’i skadojë kontrata me PSG më 2022, nuk ka rinovuar ende dhe në Katalonjë këmbëngulin se ai po pret lëvizjet e Barçës.