Kazani do të vijojë të jetë shtëpia e Mirlind Dakut. Qëndrimin te klubi rus e ka konfirmuar babai i sulmuesit nga Gjilani në një intervistë për mediat ruse.
Fehmi Daku tha se djali i tij nuk ka informacione për interesim të mundshëm për të nga klubet e tjera ruse dhe do të vijojë të luajë për Rubinin, ku në 7 ndeshjet e para të sezonit ka shënuar 5 gola dhe ka asistuar 3 herë shokët e ekipit.
“Mirlind ishte në shtëpi disa ditë më parë, ne biseduam me të për interesimin e një numri klubesh për të. E pyeta për Spartakun e Moskës dhe Krasnodar, por ai tha se nuk dinte asgjë, ata nuk i thanë asgjë. Siç më tha djali im, Rubini ka marrë një vendim, ai do të mbetet në klub. Mirlindi u kthye në Kazan dy ditë më parë dhe tashmë po stërvitet me skuadrën”, tha i ati i sulmuesit në intervistën për Sport24.
Daku u transferua te Rubin nga Osijeku kroat në verën e vitit 2023, ndërsa emri i tij është përfolur në merkaton e verës për transferim të mundshëm në Turqi apo Itali.