Në Shqipëri dyshohet se po qarkullon bakteri që shkakton sëmundjen e meningokoksemisë.
Brenda 48 orëve dyshohet se kanë humbur jetën tre persona, përfshirë edhe policin 27 vjeçar që humbi jetën dy ditë më parë.
Gjithashtu, një djalë 30 vjeç nga Durrësi dhe një grua 33-vjeç nga Tirana, të cilët ndonëse iu nënshtruan një terapie intensive në reanimacion, humbën jetën.
Por Instituti i Shëndetit Publik, përveç rastit të policit është duke hetuar ende, për të konfirmuar nëse dy rastet e tjera janë prekur nga bakteri vdekjeprurës.
Por çfarë është bakteri i meningokoksemisë?
Bakteri që shkakton sëmundjen e meningokoksemisë përhapet nëpërmjet sparklave apo sekrecioneve respiratore. Zakonisht ky bakter shfaqet në periudhën kur qarkullojnë dhe viroza të shumta stinore. Sipas mjekëve një pjesë e pacientëve të prekur nga ky bakter që njihet si neisseria e meningjitit.
Por jo të gjitha rastet kalojnë në meningjit. Në rastin e meningokoksemisë, bakteri prek gjakun e pacientit duke shkaktuar dhe humbje të jetës. Kjo sëmundje prek më së shumti fëmijë e vegjël, për shkak të mungesës së imunitetit. Sipas mjekëve diagnoza e menjëhershme është e vështirë, pasi ka simptoma të ngjashme me një sëmundje virale.
Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekët infeksionistë thonë se nuk ka vend për panik, pasi janë raste sporadike dhe çdo vit ka të tilla. Një vit më parë humbi jetën një person. Mjekët këshillojnë vaksinim të fëmijëve për serogrupet B dhe C, që predominojnë në Europë. Por, vaksina nuk është në kalendarin e detyrueshëm.
27-vjeçari, Mariglen Mestani është shuar nga jeta pasi ka luftuar plot 12 orë me vdekjen. Shkak për vdekjen e tij të parakohshme ka qenë temperatura e lartë, pas një infeksioni. Mestani punonte prej 6 vitesh si efektiv i Rrugores në Tiranë.