Gareth Bale ka hedhur poshtë aludimet mediatike se marrëdhëniet e tij me Cristiano Ronaldon te Real Madridi kanë qenë të tensionuara. Në një intervistë për BT Sport, uellsiani nënvizon: “Cristiano është një lojtar i jashtëzakonshëm, kam qenë i lumtur duke luajtur me të. Natyrisht, media përpiqet të bëjë lajm edhe aty ku nuk ka dhe shkruante për probleme që nuk ekzistonin. Kemi kaluar shumë mirë së bashku. Ai është ende një lojtar i jashtëzakonshëm”.
Pavarësisht nga këto deklarata, e vërteta është se përfaqësuesit e yllit të Uellsit pranuan më herët se marrëdhënia e tyre ishte e ftohtë. Madje, agjenti i tij, Jonathan Barnett, e sulmoi diku Cristiano Ronaldon për të mbrojtur klientin e vet: “Ata janë krejtësisht të ndryshëm, por mes tyre nuk ka urrejtje. Nuk dalin bashkë për darkë çdo natë, por çdo gjë është e mirë. Unë nuk mendoj se Bale do të jetë modeli më i mirë i botës, që të shesë të brendshme”.
Gareth Bale ka komentuar edhe se si e përjetoi interesimin e Real Madridit, kur klubi i bardhë kërkoi nënshkrimin me të në verën e vitit 2013: “Më duhej të vlerësoja të gjitha ato që Tottenham kishte bërë për mua. Sidoqoftë, kur një klub si i madh si Real Madridi interesohet për ty, është e vështirë për ta refuzuar”.
Lidhur me idhujt që kishte në fëmijërinë e tij, por tifozët e Tottenham nuk do të donin ta dëgjonin, për shkak të rivalitetit me Arsenalin, Bale përmendi emrat e dy “topçinjve”, si Henry dhe Bergkamp. Megjithatë, referimi i tij i madh ishte Ryan Giggs, tani trajneri i Uellsit.