Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se qeveria do t’i qëndrojë angazhimit për rindërtimin e vendit pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima, gati 1 mijë të plagosur dhe mbi 14 mijë familje të pastreha.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, Balla u shpreh se 26 nëntori i 2019-s ishte momenti më i vështirë për gjeneratën tonë. Ai informoi po ashtu se Kryeministri Edi Rama përmbyll sot një nga marrëveshjet më të mëdha përgjatë procesit të rindërtimit
Balla shprehu mirënjohje për solidaritetin e fqinjëve e kujtdo tjetër mik që u gjend në ato momente, qoftë në orët e para të tërmetit e qoftë me atë mbështetje të paimagjinueshme të bërë shembull në Konferencën e Donatorëve.
Sipas tij, më shumë se 100 vende e organizma financiare ofruan 1.15 miliard euro në dispozicion të rindërtimit të Shqipërisë.
“Tashmë që kemi të gjithë mundësinë të hedhim sytë pas e të shikojmë me më shumë qetësi, duket e pamundur se si u arrit t’i jepet strehë, ushqim, perspektivë të qartë, në një kohë rekord atyre mijëra familjeve. Duket thuajse e paimagjinueshme se si u sistemuan mijëra familje me kushte të përshtatshme, me kujdes të posaçëm mjekësor për të sëmurët e proces arsimor të dedikuar. Duket ende e paimagjinueshme se si mijëra familje u sistemuan në shtëpi me qira, se si u siguruan çadra dimërore brenda oborreve të të shtëpive të dëmtuara në fshat. Përballuam me dinjitet e përgjegjësi situatën edhe pse kurrë më parë Shqipëria nuk ishte gjendur e përballuar me një situatë të tillë, qoftë nga tërmet e pandemia”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit socialist vuri në dukje se duhet t’i mbajmë gjatë mend ato ditë si rrallë herë, ku shqiptarët u bënë bashkë për tërmetin.
“Sepse ishte një moment i veçantë solidariteti edhe pse ndonjë hienë në krahun tjetër të politikës nuk e zgjati shumë solidaritetin. Shumë shpejt na u desh të përballemi edhe me kujën e paskrupullt të hienave që tentuan të ngjallin mosbesim, të flasin për zi e humbje shprese, e që kulmoi me një shpërthim fill e vetëm pas suksesit të donatorëve teksa në botë e në Shqipëri po mbërrinte një fatkeqësi tjetër”, shtoi Balla.
Ai i cilësoi si politikanë të pashpresë, ushtarë të dëshpëruar të së keqes, njerëz të trembur deri në palcë nga efektet që sapo kanë filluar të reformës në drejtësi.
“Të gatshëm të përdorin një fatkeqësi natyrore e një pandemi botërore për të shpërndarë panik, nxitur ankth dhe kërkuar rrëmujë“, tha Balla.
Balla tha se përgjatë këtij viti në Shqipëri është zhvilluar dhe po zhvillohet edhe një betejë me panikun që tentuan e po tentojnë të përhapin kasandrat e opozitës rrugore. “Ndërsa Lulzim Basha, i vetmi që u zgjua në ditën pas tërmetit me dy vila, sa herë gjendet në çadrat pas tërmetit flet me lot krokodili se gjoja qeveria i ka lënë në harresë, ndërsa me pandeminë kasandrat kanë shkuar deri në makabritet duke folur qoftë për numrat në morgje” shtoi ai.
Balla tha në fjalën e tij se “Lulzim Basha nuk paska pasur as pikë turpi, as nder, as respekt dhe as kufij moral, qoftë në mënyrën e trajtimit të pasojave të tërmetit, qoftë në mënyrën e trajtimit dhe solidaritetit njerëzor që duhet të kemi në përballjen me këtë pandemi. Sepse të bësh politikë me vdekjen dhe të sulmosh sot mjekët, infermierët dhe stafet mjekësore, është një turp që opozitës nuk do ti harrohet kurrë“, tha ai.