Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla thotë se drafti i PS për të ndaluar në politikë personat që kanë bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit, është ende i paplotë dhe nuk ka përfunduar.
Në një komunikim me gazetarët nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se drafti që është bërë publik në media i përket grupit të punës të ngritur nga socialistët, por është i paplotë dhe po bëhen ende ndryshime.
“Ende drafti përfundimtar nuk është gati. Ai draft që është bërë publik është draft i grupit të punës të ngritur nga ana jonë. Personat që rezulton të kenë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, këta persona jo vetëm që këto fakte duhen bërë publike por të pamundësojmë vazhdimin e ngjitjes së tyre në karrierën dhe hierarkinë shtetërore sikurse kanë arritur të bëjnë gjithë këto vite. Ky është ende një draft pune”.
Balla u pyet edhe për ish-Kryeministrin Sali Berisha nëse në këtë nismë do të përfshijnë edhe personat e shpallur non grata që të ndalohen në politikë.
“Sa i përket çështjes së non gratës… non grata është vendim që është marrë nga SHBA, së fundmi edhe nga Britania dhe për këtë çështje qëndrimi ynë është i qartë, u takon organeve të drejtësisë dhe i bëj edhe njëherë thirrje Prokurorisë Speciale që nën dritën e akuzave të ngritura nga SHBA, unë mendoj që është koha e përshtatshme që i takon drejtësisë. Kjo nuk është çështje që mund të adresohet në këtë paketë që ne po diskutojmë. Sali Berisha është funksionar i lartë si nënsekretar i partisë së punës. Është e papranueshme që 32 vjet pas vendosjes së demokracisë një sekretar partie i shpallur dhe non grata ky person të vazhdojë të bëjë pis Kuvendin e Shqipërisë dhe jetën politike në vend”, deklaroi Taulant Balla.