Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka hedhur poshtë akuzat se në 2016 është vënë në përgjim nga Prokuroria e Elbasanit për shkak të komunikimit me grupet e dyshuara kriminale. Taulant Balla në një intervistë për A2 CNN tregon versionin e tij për sa i përket këtyre pretendimeve, duke e cilësuar si një orkestrim politik.
“Nuk ka asnjë gjë të vërtetë në të gjithë këtë histori të gatuar nga kuzhina e babalerisë së Sali Berishës. Përballja me Sali Berishën të bën të përballesh me trillime çnjerëzore të këtij niveli. I jam drejtuar gjykatës. Në këtë rast mbajeni mend, do të dalë dhe do të thotë që nuk ka qenë Taulant Balla, por ka qenë një deputet i Partisë Demokratike”.
Sherret brenda familjes socialiste kanë nisur të jenë të dukshme edhe për publikun, “bujqësia” ka qenë edhe arsyeja e fundit e pakënaqësive të deputetit të qarkut të Fierit, Erion Braçe.
Por postimin e tij “Koha për punë tjetër”, Balla nuk e ka lexuar si një kërcënim për lënie të mandatit nga ana e deputetit.
“Nuk e besoj një gjë të tillë, se Erioni është një deputet i shkëlqyer që i duhet grupit parlamentar socialist”.
Mazhoranca thotë që nuk do të ndërhyjë në punët e drejtësisë edhe kur vjen çështja për deputetin e saj, tashmë i zhveshur nga të gjitha postet, Arben Ahmetaj.
“Pushtetet duhet të kuptojnë që duhet respektuar pavarësia e pushteti të ri. Le ta lëmë drejtësinë të bëjë punë e vet”.
Ndryshe nga 2019, kur PS shkoi e vetme në zgjedhje vendore pasi opozita vendosi të bojkotonte, për lokalet e 14 majit selia rozë do të pyesë qytetarët para se të zgjedhë kandidatët e saj.
“Në një pjesë të këtyre bashkive sondazhet kanë përfunduar, në një pjesë vazhdojnë, do të vazhdojnë, do të jetë e nevojshme të ribëjmë se nga konsultimet dalin propozime, për të cilët duhet bërë sondazh”.
Për disa socialistë, drejtimi i një bashkie është më joshës se një mandat deputetit.
“Unë nuk jam një mbështetës i idesë që deputetët duhet të jenë garues, natyrshëm që ka, por kjo duhet të vlerësohet hap pas hapi”.
Shkodra, i vetmi bastion që socialistët nuk kanë arritur t’ia marrin demokratëve, do të ketë një vëmendje të veçantë nga ana e mazhorancës.
Balla pretendon sipas sondazheve të selisë rozë, PS ka mbështetje më të lartë se në zgjedhjet e 2021, pavarësisht se skema për të zgjedhur kryebashkiakët mund t’i komplikojë llogaritë e socialistëve.