Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtues të kësaj ministrie e strukturave të varësisë për të komunikuar priroritetet e detyrës së tij.
Gjatë fjalës së tij, ministri Balla ka thënë se në takimin e parë që ka zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa e tij e parë ishte arrestimi sa më parë i vëllait dhe i djalit të ish-deputetit të Fushë-Krujës lidhur me ngjarjen në Borizanë për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja.
“Në takimin e parë që kam zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm dhe atë të Tiranës, kërkesa ime e parë ishte arrestimi sa më parë i vëllait dhe i djalit të deputetit të Fushë-Krujës, i cili është miku dhe ish-kolegu im, Rrahman Rraja, i cili me gjestin e tij të dorëzimit të mandatit bëri detyrën e tij karshi qytetarëve, duke u vetëndëshkuar moralisht, por ndërkohë që Policia e Shtetit ende nuk e ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar ligjërisht dy individët e lartpërmendur, të cilët e kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë.
Por ajo skenë e shëmtuar në Fushë-Krujë ka një përmbajtje shumë më domethënëse për Policinë e Shtetit se sa kapja autorëve të saj. Sepse ajo skenë flet për një situatë të mahisur më parë, nga toleranca e papranueshme e policisë së asaj zone, e cila nuk i dëgjoi ankesat e banorëve dhe për pasojë zgjodhi të bëhej mburojë e paligjshmërisë, duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët. Shkrirja e komisariatit të Fushë-Krujës ishte përgjigja e duhur ndaj një dështimi shumë më të gjerë dhe më të thellë, se sa gurorja e konfliktit që e nxorri dështimin në sipërfaqe.
Shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe nuk janë vetëm në Fushë-Krujë, po edhe në disa zona të tjera periferike të vendit, ku syri i drejtorisë së përgjithshme ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë, sot, jo nesër.
Qytetarët janë jo vetem arsyeja pse ekziston Policia e Shtetit, po janë edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e vendit dhe të çdo individi, nga çdo lloj paligjshmërie, që nga krimi i organizuar, tek krimi ordiner dhe deri tek krimi ndaj pronës publike dhe asaj private. Veshi i shurdhër dhe syri qorr, heshtja bashkëfajtore ndaj të fortëve të lagjes dhe mosreagimi i forcave të rendit ndaj denoncimeve të qytetarëve, jane rreshtim i policisë kundër tyre, kundër shtetit.
Në territorin e kësaj republike nuk mund të ketë feude ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve, në çdo komunitet të Shqipërisë duhet të ketë rend ligjor dhe siguri për të gjithë, nën kujdesin dhe me garancinë e Policisë së Shtetit.“