Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla iu përgjigj kërkesës së opozitës për interpelancë me kryeministrin Edi Rama, lidhur me çështjen Beccheti.
Ministri shpjegoi se përse një gjë e tillë bie në kundërshtim me rregulloren,pasi kryeministri nuk mund të shkojë në kuvend për shpifje, por vetëm për kërkesa të bazuara mbi fakte.
“Kryeministri e ka të pamundur të lërë angazhimet e veta për t’ju përgjigjur kësaj kërkese për interpelancë dhe të japë llogari për një shpifje të propaganduar publikisht, se shteti shqiptar I paska paguar 130 milionë euro një elementi kriminal, me të cilin shteti shqiptar po vazhdon të përplaset në gjyqe, jo vetëm në Shqipëri, ku është akoma i dënuar me vendim të formës së prerë, por dhe në shtete të tjera të Europës. Dhe këtu kërkohet të vijë kryeministri. Ma gjeni në rregulloren e kuvendit se cili është detyrimi I kryeministrit apo ministrave, për të sqaruar një shpifje? Të gjithë ministrat e kësaj qeverie vijnë kur kërkesa motivohet me fakte që mbrojnë interesin publik”, sqaroi ministri Balla.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin solli në kujtesë se në historinë e parlamentit shqiptar në bazë të kushtetutës dhe rregullores, interpelancat refuzohen kur nuk janë në frymën e kësaj rregulloreje, pasi kryeministrat dhe ministrat janë zgjedhur për të përfaqësuar interesat publike.
“Ju jap të njëjtën përgjigje që ju dhashë kur kërkuat komision hetimor parlamentar në interes të këtij elementi kriminal e për të cilin meqë jemi në stinën e vendimeve të gjykatës kushtetuese dhe komisionit të Venecias, gjykata kushtetuese i ka dhënë kësaj shumice të drejtë për refuzimin e një komisioni hetimor parlamentar në interes të një elementi kriminal”, tha Balla në Kuvend.