Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u shpreh nga Kuvendi se fenomeni i armëmbajtjes pa leje është një prej burimeve kryesore të ngjarjeve të rënda kriminale në vend. Prandaj sipas tij, kjo kërkon më shumë fuqi parandaluese nga policia për të identifikuar personat që mbajnë armë pa leje.
“Dua të nënvizoj që fenomeni i armëmbajtjes pa leje mbetet një sfidë e rëndësishme e punës së përditshme të Policisë së Shtetit ku kërkohet më shumë prezencë e policisë për ta luftuar këtë fenomen. Armëmbajtja pa leje mbetet një prej burimeve kryesore të ngjarjeve të rënda kriminale dhe që kjo gjë kërkon më shumë fuqi parandaluese nga Policia e Shtetit, kërkon më shumë inteligjencë policore për të identifikuar personat që mbajnë armë pa leje në kroskota makinash, në ato çantat që varen pas krahëve dhe natyrshëm duke luftuar këtë fenomen ke parandaluar shumë ngjarje kriminale”, tha Balla.
Sipas ministrit Balla, një numër i konsiderueshëm armësh pa leje është sekuestruar nga policia muajt e fundit, por kjo nuk është e mjaftueshme.
Ndërkohë, Balla sqaroi para deputetëve edhe një marrëveshje me Moldavinë.
“Në këtë marrëveshje për ta sqaruar publikun synon bashkëpunim më të mirë në këtë vend me vepra penale që lidhen me krimin ndërkufitar dhe veprat penale kundër jetës, shëndetit, integritetit fizik të personit, veprat penale që lidhen me prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike ku i kemi vendosur një rëndësi të veçantë edhe sfidave të reja që vijnë sa i përket lëndëve narkotike sintetike, pastrimi i parave, lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore, vjedhja dhe trafikimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve, eksplozivëve, substancave radioaktive”, tha Balla.