Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla thotë se në zgjedhjet e prillit 2021 socialistët do të kenë aleat vetëm popullin. Në një intervistë për gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, Balla argumenton se përse PS kërkon një mandat të tretë qeverisës.
“PS në zgjedhjet e 25 prillit do të ketë vetëm një aleat që është dhe aleat i më i rëndësishëm, popullin shqiptar. Shqiptarët janë të bindur që duhet të vazhdojnë një proces të nisur me Edi Ramën Kryeministër dhe PS në shumicë për të garantuar konsolidimin e disa reformave të cilat janë ende në proces implementimi por edhe për të [ërfunduar një pjesë tjetër të reformave të cilat janë në një fazë shumë të rëndësishme. Shqipëria është sot nën drejtimin e një force politike që bën shtet.”- tha Balla në Përballë.
Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar socialist kritikoi për mungesë lidershipi kryetarin e demokratëve Lulzim Basha duke thënë se pret lista kandidatësh të dobta në zgjedhjet e prillit 2021.
“Çështja e cilësisë së deputetëve të opozitës parlamentare është një çështje e lidershipit të munguar të Lulzim Bashës në momentin që ulet për të hartuar listat. Dhe unë po ju them sot që listat e Lulzim Bashës ne 2021 do të jenë më të dobta se ato të 2017. Sepse Lulzim Basha prodhon thënien e mençur të Anjshtajnit që një person që vazhdon të ngulë këmbë në gabim do ta bëjë gabimin dhe më të trashë se atë që bëri përpara.”- tha Balla.