Dy ditë pas deklaratës së fortë të ambasadorit amerikan, kreu i grupit parlamentar socialist lajmëroi aksion në shkallë të gjerë të autoriteteve kundër krimit.
“S’dua të flas përpara autoriteteve ligjzbatuese por dua të them qartë se qeveria jonë ka një plan të mirëkoordinuar me të gjithë institucionet dhe në çdo rast që do duhet mbështetja e kuvendit për të goditur shtetin në krimin e organizuar, ajo do të jetë e sigurtë. Do adresohet çdo shqetësim jo vetëm i ambasadorit por edhe i çdo shtetasi për forcimin e ligjit. Ditët në vijim do të jeni dëshmitarë të goditjes që policia do ti bëjë krimit”, u shpreh Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist në një dalje për mediat, ku prezantoi edhe futjen në rendin e punimeve të kuvendit të kodit të sjelljes së deputetëve.
“Kodi do përfshijë kufizime për aktivitetet të cilat deputetët nuk do duhet ti ushtrojnë gjatë mandatit, si ato private. Ky është guri i parë i themelit”, tha Balla.
Kreu i grupit socialist foli edhe për komisionin e reformës zgjedhore, që pritet të ngrihet të enjten në kuvend, kur deklaroi se mazhoranca ende i qëndron paktit të 18 majit.
“Është opozita ajo që ende nuk ka emra për anëtarët. Të mos e kthejmë këtë në çështje numrash”, tha Balla.