Komuna e Deçanit në Kosovë nderoi me Titullin e Mirënjohjes Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. Ky nderim iu dorëzua ministrit nga kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, me motivacionin “Për angazhimin personal në ndërtimin e raporteve vëllazërore në mes të faktorit shqiptar”.
Dhënia e këtij titulli bazohet gjithashtu në kontributin e dhënë nga zoti Balla gjatë vitit 2024 si Ministër i Brendshëm në zbatimin e marrëveshjeve të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe në hapjen e vendkalimeve të reja kufitare.
Gjithashtu, siç vlerësoi Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, zoti Balla ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e raporteve bashkëpunuese mes përfaqësuesve politikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Preshevë dhe Diasporë.
“Nder i veçantë për mua titulli i Mirënjohjes nga ky qytet me motivacionin: Për angazhimin personal në ndërtimin e raporteve vëllazërore në mes të faktorit shqiptar” u shpreh ministri Balla, i cili vlerësoi dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe ish-komandantët e UÇK-së në Hagë.
Në këtë ceremoni tradicionale në një kullë të Rrafshit të Dukagjinit u nderuan gjithashtu Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe personalitete shqiptare në diasporë.
Ceremonia u organizua në Kullën e Beqë Likës në Deçan, ku ishte i pranishëm edhe politikani i kësaj treve, ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.