Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën, zhvilloi një vizitë në Universitetin e Harvardit në Boston, ku mori pjesë në një takim të organizuar nga Qendra e Studimeve Europiane.
Gjatë këtij takimi, Balla bisedoi me profesorë dhe studentë shqiptarë mbi avancimin akademik dhe profesional të diasporës shqiptare dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.
Balla vuri theksin në kontributin e rëndësishëm të diasporës në zhvillimin e Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së talenteve shqiptare që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit.
Sipas Ballës, Shqipëria është në një moment vendimtar të historisë së saj dhe synon që brenda vitit 2030 të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian.