Në fjalën e tij në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, kreu i deputetëve socialistë, Taulant Balla ka deklaruar se Parlamenti shqiptar ka marrë masa konkrete për adresimin e rekomandimeve të KE, që lidhen me hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.
Duke bërë të ditur se Shqipëria ka miratuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve, Balla e ka vënë theksin tek ecuria pozitive, sipas tij, e procesit të reformës në drejtësi.
“Parlamenti i Shqipërisë, në kuadër të reformës në drejtësi, themelore për ecurinë tonë të shpejtë me agjendën europiane, ka miratuar unanimisht 7 ligje prioritare që shoqërojnë amendamentet kushtetuese, duke përfshirë edhe ligjin e vettingut; ka miratuar 13 ligje nga 27 projektligjet për reformën në drejtësi; dhe gjithashtu vazhdon punën për hartimin e 14 projektligjeve të tjera të kësaj pakete ligjore”, ka deklaruar Balla.
Balla ka theksuar se, zbatimi i kësaj reforme, e cila sipas tij shërben si shembull për t’u ndjekur, po ecën përpara. “Rezultatet e para të procesit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të publikohen së shpejti”, ka thënë Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS ka theksuar se, konsolidimi i mëtejshëm i dialogut politik dhe konstruktiv mes shumicës parlamentare dhe opozitës vazhdon të mbetet prioritet i Parlamentit shqiptar.
Në këtë drejtim ai e ka vënë theksin tek marrëveshja e 17 majit, e cila sipas tij solli përmirësimin e klimës politike në vend dhe ktheu opozitën në Parlament.
Gjithashtu, “përmes konsensusit mes dy partive më të mëdha në vend, Parlamenti miratoi ligjin për pakicat etnike, një ligj që do të ishte një model për vendet e tjera të Ballkanit”, ka vijuar Balla.
Ai ka folur më tej edhe për rolin e Shqipërisë në Ballkan, duke cituar këtu vlerësimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit për fqinjësinë e mirë dhe stabilitetin e rajonit.
Ai ka shtuar se, klasa politike dhe qytetarët shqiptarë besojnë në mbështetjen e ndërkombëtarëve për të kaluar në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit të plotë në familjen evropiane.