Nisur nga fluksi i madh i turistëve të regjistruar për 2023, ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka bërë me dije se në Policinë e Shtetit do të krijohet një Forcë Kombëtare për Sigurinë Publike.
Ajo do të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike për mbi 10 mln turistë.
“Me Policinë e Shtetit kemi filluar në fakt përgatitjet, për t’i dalë përpara nevojës për një nivel tjetër sigurie në zonat turistike.
Unë e di shumë mirë se policia lokale e Sarandës për shembull e ka të pamundur të përballojë sfidën që presim të kemi, qoftë në numër të turistëve, qoftë në cilësinë e tyre. Policia jonë në nivel vendor vuan edhe nga fenomeni i familjarizimit, duke dëmtuar kështu efektivitetin e punës dhe mosreagimit në kohë Policisë së Shtetit.
Prandaj ne po krijojmë një Forcë Kombëtare të Sigurisë Publike, brenda Policisë së Shtetit, e cila të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme, të përballojë nevojat dhe pritshmëritë e Shqipërisë turistike 10 milionë plus. Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë prezencën dhe efikasitetin e policisë në të gjithë territorin”, tha Balla.
Ai bëri një bilanc se sa efektivë policie kanë qenë në terren, përgjatë sezonit turistik. Ai informoi se gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës së disponueshme policore.
“Gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike/plazhe mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës sonë të disponueshme policore. Duhet ta kemi të gjithë parasysh një fakt, tek i cili duhet të bazohet një mbështetje edhe më e madhe dhe e merituar për Policinë e Shtetit, jo vetëm sa i përket trajtimit financiar. I gjithë ky fluks gjatë vitit 2023, me 30% më shumë sesa një vit më parë, është përballuar nga e njëjta trupë policore”, tha Balla.
Ndër masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit ai veçoi ngritjen e funksionimin e 6 stacioneve provizore policore në zonën turistike, krijimin e Njësisë Policore Detare, me mbi 100 punonjës.
“Janë trajtuar telefonata/ankesa nga publiku në zonat turistike/plazhe 2905 raste, janë trajtuar mosmarrëveshje të ndryshme në 1134 raste (për të mos lejuar më përsëritjen e rastit të turpshëm të Mihal Kokëdhimës, katër vite më parë) dhe janë arrestuar autorët në 124 raste”, deklaroi Ministri.
Balla kërkoi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore investime për sinjalizimin rrugor, në rrugët që të çojnë në zonat bregdetare, si në ato kryesore ashtu dhe ato në dytësore.
Në total, në 9 muaj, Shqipëria u vizitua nga 8.3 milionë të huaj.