Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka mbajtur fjalën e tij sot në Kuvend, duke iu thënë deputetëve të opozitës se mocioni me debat do të zhvillohet me datë 2 Mars. Sipas Ballës, kërkesa e opozitës për ta zhvilluar mocionin me debat sot është qesharake, pasi Kryeministri ndodhet në Japoni në kuadër të vizitës zyrtare.
“Unë mendoj që Kuvendi i Shqipërisë lidhur me mocionin me debat ka marrë vendim dhe ai është në konsultim edhe me zyrën e Kryeministrit i cili ka garantuar që do të jetë prezent me datën 2. Më duket qesharake që ju e doni debatin sot duke e ditur mirë se Kryeministri është në vizitë zyrtare në Japoni. Javën e kaluar ua kam thënë vendimin për datën 2 Mars, sipas të gjitha kërkesave të bëra nga kolegët e opozitës, përfshirë dhe kohën e debatit. 1400 minuta ose 23 orë e 20 minuta është debati që do të zhvillohet, më i gjati që është bërë ndonjëherë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë”, tha Balla.
Gjatë kohës që Balla po fliste në foltore, deputetë të PD-së e rrethuan duke krijuar një situatë të tensionuar.
Balla-Vokshit: Jeni zonjë dhe nuk flas dot me gjuhën tënde. Sapo fole me një gjuhë që… E kam për turp që të jesh ti këtu. Deputetët e opozitës shkul mikrofonin dhe i bien foltores sikur është daullja, kjo nuk është normale. U ka thënë Kadiu dilni atje prandaj unë ju bëj thirrje të tërhiqeni nga kjo qasje. Jam i sigurt që pas datës 3 nuk do të jeni më kështu sepse Gjykata do japë vendim. Mos sillni problemet e brendshme të partisë tuaj në sallën e Kuvendit.
Për kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për çështjen “McGonigal”, Balla ritheksoi se ajo po shqyrtohet nga Konferenca e Kryetarëve.