Seanca e sotme parlamentare në sytë e një miku si kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferri, është shoqëruar me tension dhe një incident të paprecedentë që përfshiu kryeministrin Edi Rama dhe deputetin e PD, Edi Paloka.
Nënkryetari i Kuvendit sulmoi me bojë shefin e qeverisë dhe për këtë akt është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Parlamentit.
Por incidenti ka sjellë edhe përplasje të tjera indirekte. Kështu, ish-kryeministri Sali Berisha mbrojti Palokën jashtë sallës së Kuvendit, duke thënë se përdori stilograf dhe jo shiringë për të gjuajtur Ramën.
Berisha gjithashtu e justifikoi veprimin e Palokës me sulmin dhe fyerjet e Ramës ndaj deputetit të PD.
Por në dalje nga Parlamenti, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka thënë se “Sali Berisha ia ka marrë dorën që çadrën ta bëjë pistoletë dhe shiringën të bëjë stilograf”, duke ironizuar me deklaratat e ish-kryeministrit edhe pas 4 vrasjeve në 21 janar.
“Më lejon t’iu them që Grupi parlamentar i PS nuk mund të tolerojë më që në pozicionin e nënkryetarit të Kuvendit si përfaqësues i opozitës të jetë zoti Paloka dhe në seancën e radhës do kërkojmë shkarkimin e tij”, sqaroi më tej Balla.
I pyetur mbi protestën e 16 shkurtit, Balla theksoi se “opozita jonë është vaj me det, por nuk i takon Shqipërisë dhe shqiptarëve ky turp që i shkaktoi Paloka”.