Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaron se ndalimi i TikTokut për të paktën një vit në Shqipëri nuk është një reagim i nxituar.
Lidhur me vendimin që u mor pas vrasjes së adoleshentit Martin Cani, nisur nga një sherr në rrjete sociale dhe pas një turneu të gjatë këshillimi me prindërit shqiptarë, ministri risjell në kujtesë ngjarjet e rënda që shërbyen si “këmbana alarmi” për të shmangur tragjedi që e kanë zanafillën nga talljet, shantazhet dhe abuzimi në rrjete sociale.
“Sa herë ka ndodhur një ngjarje e rëndë me humbje jete të personave të shantazhuar, bullizuar, dhunuar online, në këto banaqet e darkës gara mes të ftuarve ka qenë kush t’i gjejë defektet dhe ngrejë akuza TikTokut” shkruan Balla në mesazhin e tij në Facebook, shoqëruar me pamjet e një kronike televizive që i përket ngjarjes së rëndë të vetëvrasjes së një të reje në Kamëz, për të cilën u arrestua një person me precedentë, Altin Çoku i cili njihet tashmë si “shantazhuesi i Tik Tok-ut”.
“Është fakt se kjo platformë nuk e përmbushi detyrimin që mori përsipër për moderimin e postimeve në gjuhën shqipe, rritjen e vigjilencës kundër dhunës, kundër shantazheve, kundër gjuhës së urrejtjes online dhe forcimin e kontrollit prindëror mbi postimet e fëmijëve”, sqaron ministri Balla, duke kritikuar atë pjesë të opinionit që i është hedhur në mbrojtje platformës kineze të krijimit të videove të shkurtra, e cila nisi të përdoret me shpejtësi në kohën e pandemisë.
“Sonte po shoh t’i qajnë hallin TikTokut, aspak viktimave. Nuk çuditem. Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i duhur që gëzon mbështetjen e një shumice dërrmuese mes komuniteteve të prindërve dhe shoqërinë shqiptare”, përfundon postimi i Ballës bashkë me pyetjen se cili ishte mendimi i ndjekësve.