Një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna. Për ngjarjen tronditëse ka një reagim edhe nga ana e ministrit të Brendshëm Taulant Balla. Ky i fundit bën me dije se forcat RENEA dhe “Forca Kombëtare e Sigurisë Publike” po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë.
Lidhur me arrestimin e 31-vjeçarit Ergys Arrazaj, bashkëshortit të Alma Arrazaj, Balla thekson se ka dyshime të forta për dhunën në familje dhe presionin psikologjik.
Nisur nga ngjarja e rëndë, ai i bën thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo formë të dhunës.
Reagimi i plotë i Ballës:
Ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna, na ka tronditur të gjithëve. Njësia e specializuar e RENEA dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna. Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik. Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!