Aktualitet Balla prezanton drejtorin e ri të AMP: Të çojë përpara vetëpastrimin e...

Balla prezanton drejtorin e ri të AMP: Të çojë përpara vetëpastrimin e Policisë së Shtetit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka prezantuar Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmanin. Gjatë fjalës së tij, ministri Balla është shprehur i kënaqur që për herë të parë, hapën një procedurë konkurrimi publike për përzgjedhjen e kandidatit më të mirë.

Balla u shpreh se Florian Sulejmani ka një eksperiencë pune të gjatë 18 vjeçare dhe ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, si dhe ka eksperiencë dhe njohuri të gjera mbi procesin e vetting-ut të Policisë.

Ndër të tjera, ministri Balla deklaroi se drejtimi i ri duhet të çojë përpara vetëpastrimin e Policisë së Shtetit dhe vetting-un e drejtuesve të lartë.

“Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm. Policia e Shtetit duhet të jetë një organizatë e shëndoshë, e pastër, e besueshme dhe e fortë në goditjen e paligjshmërisë në tërësi, dhe krimit të organizuar e trafiqeve në veçanti.”