Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka komentuar reagimin e kreut të PD, Lulzim Bashës lidhur me pretencën e Ervin Salianjit.
Basha e cilësoi si gjyq politik të Ramës pretencën e Prokurorisë, e cila kërkoi 1.6 vite burg për ish-deputetin, konvertuar në 3 vite shërbim prove.
Teksa Basha i cilësoi të korruptuar dy gjyqtarët e çështjes, Balla thekson se kjo është e papranueshme dhe është një presion i hapur kundër Prokurorisë.
Reagimi i Taulant Ballës:
Reagimi i të pandehurit ndaj një pretence të Prokurorit është i falshëm dhe emocional kur bëhet fjalë për çështjen e tij. Por sulmi i Lulzim Bashës ndaj Prokurorisë sot është ripërsëritje ogurzezë e qëndrimit obstruktiv të PD ndaj drejtësisë. Prokuroria është e mirë kur ngre akuzë ndaj kundërshtarit dhe qenka e keqe kur akuzon ty apo anëtarin e çetës tënde?!
Sulmi i Lulzim Bashës shënjestroi edhe një nga prokurorët e dosjes ku vetë Lulzim Basha është i pandehur. Kjo është e papranueshme dhe është një presion i hapur kundër Prokurorisë, e cila ende ka në hetim Kryetarin e PD. Përdorimi nga ana e Lulzim Bashës e pretencës ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, për sulme personale ndaj Prokurorisë e zhyt Partinë Demokratike edhe më thellë në baltën ku vetë mbytet prej shumë kohësh. Lulzim Basha është i vetëdijshëm batak-babalen ku u vetëpërfshi me dashje, bashkë me të tjerë si Ervin Salianji.
Teksa vëmendja jonë është tek familjet e që prekura nga fatkeqësia që solli tërmeti dhe rindërtimi, ende shpresojmë se Partia Demokratike do të ndryshojë qasjen e saj ndaj drejtësisë dhe Shqipërisë sonë të përbashkët.