Seanca plenare e kësaj të enjteje ka nisur me përplasje mes opozitës dhe maxhorancës, ku deputetët mbështetës të Sali Berishës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe nuk lejojnë zhvillimin e punimeve.
Kryetari i Grupit Parlementar Socialist Taulant Balla, tha se kaosi në Kuvend shkaktohet për shkak të çështjeve në SPAK që janë për familjen Berisha.
Ai shtoi se vetëm sot familjarët e viktimave të 21 janarit depozituan në SPAK një kallëzim të ri kundër ish-kryeministri Berisha, Lulzim Bashës dhe punonjësve të gardës.
“Skenari po ndodh çdo seancë. Ndërkohë që sot familjarët e dëshmorëve të vrarë më 21 janar janë në SPAK për depozitimin e një padie të re kundër Sali Berishës dhe të gjithë zinxhirit të përfshirë në vrasje, sa kohë ka një kallëzim për 21 janarin ne do të jemi në këtë situatë në Kuvend.
Familjarët ndodhen në SPAK ku akuzojnë Sali Berishën për vrasje në bashkëpunim, kjo situatë do të ndodhë këtu.
Për sa kohë ka një çështje në SPAK për Gërdecin dhe Shkëlzen Berishën, kjo situatë do të vijojë këtu”, tha Balla.
Bylykbashi: Po i hiqet e drejta e opozitës për t’i kërkuar llogari qeverisë
Oerd Bylykbashi, nga foltorja e Kuvendit, u shpreh se opozitës po i hiqet e drejta për t’i kërkuar llogari qeverisë, në lidhje me çështjen “McGonigal”.
“Kemi kërkuar të drejtat tona, në mënyrë të paligjshme keni lënë deputetët jashtë sallës. Nuk janë njoftuar për mbledhjen e Byrosë dhe janë shkelur të drejtat e tyre. Por, problemi është tek e drejta e opozitës për t’i kërkuar llogari qeverisë. Jeni gati të fikni dritat e të prishni mikrofonat vetëm që të mos dalë llumi i kësaj çështjeje”, tha Bylykbashi.
Ndërsa Enkelejd Alibeaj theksoi se 4 kërkesa të opozitës në Konferencën e Kryetarëve nuk janë pranuar.
“Të thuash që nuk pranojmë komision hetimor sepse do të bëjmë një ligj tjetër, është provokim”, tha Alibeaj.