Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se Shqiptarët, sot nuk e kanë një alternativë më të mirë sesa PS, madje sipas tij, sot ka edhe më shumë arsye për të na ribesuar drejtimin e vendit, më shumë se tre vite më parë.
Nga Prrenjasi ku zhvilloi një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste të Prrenjasit, Balla tha se “kundërshtari shumë i dobët dhe i pabesueshëm për t’i dhënë votën, nuk krijon një garë të mirëfilltë idesh, programesh dhe ekipesh”.
Sipas Ballës, “Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka një Kryeministër më të mirë sesa Edi Rama. Dhe Edi Rama do të jetë Kryeministër edhe për katër vitet e mandatit tonë të tretë. Jo pse përballë si kandidatë rivalë janë Saliu i veshur si Luli, Monika në vend të Ilirit, bashkë me Nardin, Dashin, Mediun apo Vangjel Dulen. Ne nuk do konkurrojmë me ta. Ekipet tona në çdo qark nuk do të konkurrojnë me ta, por me pritshmëritë e aleatit tonë të vetëm, njerëzit e thjeshtë”.