Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kritikuar Presidentin Ilir Meta për atë çfarë kishte biseduar me ministrat e Jashtëm të 4 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së tij në Parlament, Balla tha se 4 ministrat e vendeve të BE-së kishin dalë nga takimi me Presidentin Meta duke dëgjuar kritika për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kreu i grupit parlamentar të socialistëve sulmoi edhe Partinë Demokratike, për të cilën tha se është shndërruar në një shtojcë të Presidentit Meta.
“Jemi ndjerë disi të trishtuar nga qasja që Presidenti i Republikës një orë përpara takimit me ne kishte pasur me 4 krerët e diplomacisë së katër vendeve përkatëse. Katër ministra që kishin dalë nga ai takim a thua kishin takuar Presidentin e një vendi kundërshtar me Shqipërinë, jo Presidentin e Shqipërisë. Një President që nga fillimi deri në fund kishte hedhur vrer mbi Shqipërinë. Unë e kuptoj strategjinë politike të gjithkujt. Por besoj që mbi të gjitha besoj që në qasjen dhe aktivitetin tonë politik duhet të kemi qasje duke shprehur vlerësim, dashuri për vendin tonë.
Nuk dua të zgjatem më tej se të filloj dhe të sqaroj këtu se si me lloj-lloj letrash drejtuar Presidentëve apo Kryeministrave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, prej disa ditësh Ilir Meta, bashkë me ndonjë faktor tjetër të opozitës se më vjen keq këtu se si përfundoi Partia Demokratike të jetë shtojcë e Ilir Metës, ka një përpjekje për të dëmtuar sadopak vlerësimin që dha Komisioni Hetimor të hënën dhe që ne mezi presim e jemi besimplotë që në 26-27-28 Mars ne të marrim lajm pozitiv”, deklaroi Taulant Balla.
I menjëhershëm reagimi nga Partia Demokratike, me anë të Sekretarit të Përgjithshë, Gazment Bardhi: “Taulant Balla është mësuar të jetë shtojcë e krimit, përmes të cilit ka vënë pasuri të paligjshme. Ai as nuk mund ta kuptojë, as nuk mund ta pranojë që ne, qytetarët e lirë të këtij vendi, të bëjmë çdo sakrificë për mbrojtjen e Kushtetutës. Skllavi i krimit, që nisi karrierën politike i sponsorizuar nga trafikantë droge dhe e vazhdon si i tillë, është i dështuar në diversionin e tij banal. Është detyra jonë që, si europianë të vërtetë, të mos heqim dorë nga mbrojtja e të drejtave themelore dhe nga mbrojtja e Kushtetutës”.