Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi sot një takim me avokatë dhe konsulentë ligjorë në Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanikë në Londër.
Në fjalën e tij ministri Balla foli për rëndësinë e diasporës shqiptare dhe kontributin e saj të pazëvendësueshëm në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Duke folur për rëndësinë historike të të drejtës së votës së Diasporës në Shqipëri, Balla tha se Shqipëria ka pasur një borxh ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.
“Edhe pse Shqipëria është ndër vendet që e ka garantuar herët të drejtën e barabartë të votës për qytetarët e saj, kemi pasur një borxh ndaj bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Për më shumë se 33 vite, shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të vendit nuk kanë pasur mundësinë të ushtrojnë këtë të drejtë themelore në demokraci”.
Balla theksoi gjithashtu se Shqipëria ka arritur një transformim të rëndësishëm ekonomik, me një dyfishim të prodhimit të brendshëm bruto në dekadën e fundit. Ai nënvizoi se ky zhvillim duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfitojë e gjithë shoqëria shqiptare.
Ai gjithashtu vlerësoi rolin e diasporës jo vetëm për remitancat financiare, por edhe për kontributin e saj në zhvillimin e turizmit dhe rritjen e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare:
“Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të diasporës kthehen qoftë për pushime, qoftë për festa, duke gjetur mundësinë për të vizituar atdheun. Kjo sjell një kontribut të rëndësishëm për ekonominë e vendit, i cili sot ka një imazh krejtësisht tjetër krahasuar me 10 vite më parë”.
Në përfundim, ministri Balla theksoi marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, duke vlerësuar qëndrimet e përbashkëta mbi çështjet globale:
“Shqipëria vlerësohet si i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që e ka tërësisht të përafruar politikën e saj të jashtme me Bashkimin Europian dhe aleatët e tjerë strategjikë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Me Britaninë e Madhe, ndajmë qëndrime të njëjta për çështjet globale të mëdha, si në kuadër të NATO-s, ku jemi kontribues për paqen dhe stabilitetin, ashtu edhe në pjesëmarrjen në aleancat globale kundër terrorizmit,” përfundoi Balla.