Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë Taulant Balla gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri, Zoran Zaev.
Gjatë takimit Balla dhe Zaev ndanë vlerësimin e përbashkët se “marrëdhëniet e sinqerta miqësore midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Edi Rama, janë drejtimi në të cilin po zhvillohen marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy kryeministrave Rama dhe Zaev janë gjithashtu një shembull i mirë në rajon dhe një tregues se ‘atje ku ka vullnet politik, ka respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të suksesshëm'”.
Numri dy i PS-së, Taulant Balla dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev theksuan gjatë takimit se të dy vendet besojnë në të njëjtat vlera europiane.
“Të gjitha angazhimet për të ardhmen europiane të vendeve tona janë gjithashtu angazhime për europianizimin e shteteve, me qëllim të një jete më të mirë për qytetarët. Rajoni ka nevojë për miqësi dhe bashkëpunim dhe ato po ndodhin”, tha Kryeministri Zaev.
Gjithashtu gjatë takimit Balla dhe Zaev shkëmbyen informacione edhe për avancimin e projekteve të infrastrukturës, lehtësimet kufitare, bujqësinë si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, duke e parë rajonin si një treg i përbashkët, i cili mund të jetë më tërheqës për Europën dhe Botën.
Një temë tjetër diskutimi ishte edhe kujdesi për bashkësitë etnike në të dyja vendet, duke theksuar se ato janë një urë miqësie midis dy vendeve.
Në këtë takim merrnin pjesë nga pala maqedonase edhe Zëvendës Kryeministri Ljupço Nikollovski, njëkohësisht edhe Sekretar i Përgjithshëm i LSDM.
Ndërsa Balla në takim shoqërohej nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Vasil Sterjovski dhe Kryetari i Bashkisë Prrenjas Nuri Belba.