Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka vizituar këtë të mërkurë 26-vjeçaren në Vlorë e cila u përdhunua nga disa persona.
Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se pandëshkueshmëria do të marrë fund duke theksuar se në Vlorë është për t’i dhënë mbështetje viktimës që ka rënë pre e abuzimit seksual dhe familjarëve të tij.
Balla ka bërë apel që qytetarët dhe gazetarët të kenë besim te drejtësia deri sa të zbardhet çështja.
“Nuk është e vërtetë që policia ka reaguar me vonesë. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. E para është që ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë pasi vajza mund të ishte motra jote, motra ime dhe motra e secilit prej nesh. Është krijuar një kulturë pandëshkueshmërie që u garantojë se do marrë fund.
Jam këtu për të mbështetur këtë vajzë që ka rënë pre e kësaj dhune. Kam ardhur këtu t’i ofrojë mbështetje kësaj vajze dhe familjes së saj dhe kini besim te drejtësia. Do ju lutem që edhe emrat e personave të dyshuar merrni me kujdes deri kur të shprehet drejtësia. Jam këtu për të dhënë një mesazh kundër dhunës seksuale. Apeli im është që hiqni dorë nga përdorimi i emrave dhe kini besim te drejtësia”, tha Balla.
Kujtojmë që Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për shtetasit e akuzuar për nxitje dhe përdorim të drogës dhe më pas përdhunimin e 26 vjeçares. Dy prej tyre, Oltjon Tahiri dhe Albi Ceno janë arrestuar, ndërsa në kërkim është shpallur Gentjano Mehmeti si edhe një shtetas tjetër.