Në korrik të 2021 Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia firmosën një marrëveshje në kuadër të nismës ‘Ballkani i hapur’ për bashkëpunim në raste katastrofat. Marrëveshja u propagandua fort e madje solli edhe shigjetime kundrejt vendeve që refuzuan nismën si përshembull Kosova. Nga një verifikim i Faktoje rezulton se në një kohë që marrëveshja e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk gjeti zbatim, siç ishte në rastin e zjarreve, Kosova ofroi ndihmë të menjëhershme për Shqipërinë.
Nga Esmeralda Topi –Faktoje.al
“Sot, ne kemi firmosur një marrëveshje për të qenë bashkë në çdo rast ku, larg qoftë, secili nga vendet tona përballet me forcat e natyrës.”- deklaronte Kryeministri Edi Rama, pas forumit “Ballkani i Hapur” mbajtur në Shkup në korrik të 2021.
Faktoje vendosi të verifikojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, për të cilën Kryeministri Rama shigjetoi edhe vendet jo pjesëmarrëse të nismës “Ballkani i Hapur”, duke thënë se ‘çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën, që të bashkoheshin në këtë nismë, e cila hap rrugën që forcat tona të emergjencave të ndërveprojnë së bashku.’ Faktoje ka siguruar një kopje të marrëveshjes në fjalë. Referuar dokumentit që mban firmën e Kryeministrit Edi Rama, Presidentit serb Aleksandër Vuçic dhe ish- kryeministrit Zoran Zaev, qëllimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për mbrojtjen nga katastrofat në Ballkanin Perëndimor është që vendet firmëtare të ndihmojnë njëra-tjetrën në rast katastrofash, kur një prej tyre nuk është në gjendje të përballojë pasojat e katastrofës me burimet e tyre.
Neni 11 i marrëveshjes përcakton qartë se ndihma duhet kërkuar, shoqëruar me informacionin mbi katastrofën, llojin dhe shkallën e ndihmës së kërkuar, institucionet dhe personat me të cilët vendoset komunikimi, si dhe një propozim mbi mënyrën e dhënies së ndihmës. Vetëm tre ditë pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje, në fillim të muajit gusht të vitit 2021, Ministria e Mbrojtjes raportonte për një situatë kritike zjarresh, me dhjetra vatra aktive në të gjithë vendin, të cilat u shuan me ndihmën e Holandës dhe Çekisë, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Verën e 2021, një tjetër vend që i erdhi në ndihmë Shqipërisë për shuarjen e zjarreve ishte Kosova. Një ekip i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe mjete të tjera zjarrfikëse ndihmuan në shuarjen e zjarrit në malin që shtrihet sipër tunelit të Kalimashit në Kukës. Edhe gjatë këtij viti, Shqipëria ka ‘shtrirë’ dorën për ndihmë. Zjarri që ra në ishullin e Sazanit në qershor të këtij viti, u shua falë ndërhyrjes nga ajri me avionin grek tip Canadair CL 415, si mbështetje e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
Në të treja këto raste marrëveshja e “Ballkanit të Hapur” për mbrojtjen nga katastrofat nuk është vënë në zbatim. Shqipërisë i ka ardhur ndihma nga Kosova dhe vendet e Bashkimit Evropian.
“Kjo marrëveshje nënkupton se në rast përmbytjeje, rastet e zjarrit ose fatkeqësish natyrore, secili prej vendeve që nuk është dëmtuar ka detyrimin të ofrojë ndihmë tek vendi i prekur nga fatkeqësia natyrore. Pra kjo nënkupton se Republika e Shqipërisë duhet të kishte kërkuar ndihmë ose duhet të kishte marrë ndihmë prej këtyre dy vendeve në rastin e përmbytjeve të fundit dhe zjarreve të fuqishme gjatë stinës së verës.” – sqaron për Faktoje Kolonel Dritan Demiraj, duke shtuar se Kosova është i vetmi vend i rajonit që i ka ardhur në ndihmë Shqipërisë në raste fatkeqësish.
“Ata jo vetëm kanë ardhur në kohë rekord, në disa raste edhe pa ftesën e qeverisë shqiptare, por kanë ndihmuar me shumë profesionalizëm, duke i dhënë leksione të mira ushtrisë Shqiptare jo vetëm në drejtim të aftësive të cilat i kanë disa herë më të larta, por edhe në drejtim të pajisjeve (kujtoj rastin e tërmetit kur njësitë Shqiptare nuk kishin as qen kërkimi, asnjë pajisje speciale, por vetëm kazma dhe lopata si në shekullin e XIX-të).” – thekson Kolonel Demiraj.
Po përse Shqipëria nuk ka kërkuar ndihmë nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut?
Agjencia për Media dhe Informim (MIA) bën të ditur se asnjë nga tre vendet pjesëmarrëse të nismës “Ballkani i Hapur” nuk ka bërë kërkesë për aktivizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për mbrojtjen nga katastrofat.
“Ju informojmë se deri në këto momente nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Ministrave pas firmosjes së “Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor” të datës 29.07.2021, për të aktivizuar marrëveshjen në fjalë. Nuk ka kërkesë zyrtare të vendit tonë dhe as të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të vënë në veprim këtë mekanizëm.” – shkruan Agjencia për Media dhe Informim në një përgjigje zyrtare për Faktoje, por pa dhënë sqarime se përse nuk është vënë në zbatim marrëveshja duke qenë se Shqipëria ka shtrirë disa herë dorën për ndihmë, në raste zjarresh.
Ndërkohë një arsye objektive se përse Shqipëria nuk ka kërkuar ndihmë Faktoje e ka gjetur përmes dokumenteve. Marrëveshja e firmosur në korrik të 2021 në Shkup është miratuar në Këshillin e Ministrave më 26 tetor të këtij viti ndaj Shqipëria nuk mund të aktivizonte mekanizmin e ndihmës nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Po ashtu, vendi ka marrëveshje të ngjashme me Kosovën si dhe së fundmi është anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile të cilat referuar fakteve kanë funksionuar duke e lënë në letër atë të “Ballkanit të Hapur”.
Marrëveshja e ndihmës së ndërsjellë Kosovë- Shqipëri
Në tetor të vitit 2020, Shqipëria dhe Kosova firmosën marrëveshjen për Bashkëpunim dhe Ndihmë të ndërsjellë në Raste të Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive të tjera. Ndryshe nga ajo ‘Ballkani të Hapur’, kjo marrëveshje është vënë në zbatim. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, qeveria e Kosovës sqaron se marrëveshja është miratuar në parim në gusht të 2020, ndërsa vendimi ka hyrë në fuqi datën e nënshkrimit të marrëveshjes mes palëve, më 02.10.2020.
“Që nga nënshkrimi i marrëveshjes Kosova ka asistuar një herë Shqipërinë, në vitin 2021, me rastin e zjarreve në malet e Kalimashit. Përveç kësaj Kosova dhe Shqipëria kanë pasur gjithmonë një praktikë bashkëpunimi dhe ofrimi të ndihmës së ndërsjellë për rastet e tilla, sidomos kur fatkeqësitë kanë qenë më të mëdha, si rasti i tërmetit në Shqipëri në vitin 2019 në Shqipëri.”- thekson qeveria e Kosovës.
Ndërsa në Shqipëri, sipas verifikimit të Faktoje, marrëveshja është miratuar nga Këshilli i Ministrave më 18 nëntor të 2020.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile
Më 13 qershor të këtij viti Shqipëria aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në Mekanizmin e Bashkimit Evropian për Mbrojtjen Civile. Më 18 nëntor, vendi u bë zyrtarisht pjesë e këtij sistemi për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë. I themeluar në vitin 2001, Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile përbëhet nga 33 vende, 27 shtete anëtare të BE-së dhe gjashtë vende si Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Islanda dhe Mali i Zi. Ky sistem synon të forcojë bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE -së dhe shteteve pjesëmarrëse në mbrojtjen civile për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.
Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Ministria e Mbrojtjes sqaron se aktivizimi i Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile bëhet me kërkesë të Qendrës Kombëtare Operacionale. Kjo kërkesë i dërgohet Qendrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERÇ) që është zemra e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.
“Hapat fillestare janë marrja e procesverbaleve nga bashkitë e prekura nga fatkeqësitë dhe bëhet vlerësimi i dëmeve nga fatkeqësitë. Palët duhet të organizojnë takime të eksperteve, seminare, konferenca dhe ushtrime në fushën e mbrojtjes civile, si dhe shkëmbim të eksperiencave dhe praktikave më të mira, përmes takimeve të përbashkëta.”- sqaron Ministria e Mbrojtjes në përgjigjen e saj.
Ndërkaq, koha ka treguar se Shqipëria ka marrë ndihmë nga ky mekanizëm edhe kur nuk ka qenë anëtare me të drejta të plota, por me anëtarësimin e saj, sikurse pohon edhe Kryeministri ‘çdo fatkeqësi natyrore e jona është njëkohësisht fatkeqësi natyrore e Bashkimit Europian’.