Kryeministri Edi Rama nënvizoi sërish nga Beogradu të mirat që do të sjellë për popujt e rajonit, kompanitë dhe ekonomitë, nisma e “Ballkanit të Hapur.
Kreu i qeverisë tregoi gjatë konferencës për shtyp me presidentin serb, Vuçiç dhe përfaqësuesin e RMV, Dimitrov se në takimin e zhvilluar ka marrë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga sipërmarrësit e 3 vendeve për lehtësimin e procedurave të lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve.
“Sot është më ndryshe. Fokusi ka qenë tek njerëzit, kompanitë, fermerët, punëtorët, studentët që janë edhe përfituesit realë të Ballkanit të Hapur dhe që secili në mënyrën e vetë vuan pritjen në kufi, barrën e burokracisë, kontrollet, inspektimet. Më vjen mirë që jemi fokusuar aty ku është thelbi. Thelbi i kësaj nisme është të zgjerojmë ekonomitë, tregjet tona, të cilat janë të vogla, por nëse integrohen, kthehen në një treg të rëndësishëm dhe për investimet e huaja. Për herë e më tepër po del në pah që kjo ka një kufi që lidhet me hapësirën e shfrytëzimit të tregut. Që të përfitojmë sa më shumë investime të huaja direkte duhet të ofrojmë një hapësirë më të gjerë. U ballafaquam direkt me sipërmarrësit nga të treja vendet dhe me problemet e tyre reale. Të gjithë njëzëri kërkuan që çfarë ne nënshkruajmë të përkthehet në një realitet të prekshëm në kufi, aty ku nisin problemet. Kemi eksportues nga Serbia, Maqedonia të fruta-perimeve, qumështit që nuk mund të rrinë dot me ditë në kufij. Nuk mundet dot që të premten në darkë të arrish në kufi dhe të presësh të hënën për të kaluar qumështin. Apo për të çuar produktet nga Konispoli deri në Serbi, nga ara në treg për të kaluar nëpër dogana. Apo 3 javë për të pritur për produktet që sjell nga një vend tjetër”, tha Rama.
Mes të tjerash, kryeministri Rama tregoi se “Ballkani i hapur” tashmë ka marrë dhe mbështetjen e Këshillit të Atlantikut dhe bëri thirrje për një mbështetje nga BE, pas bllokimit që i ka bërë procesit të integrimit.
“Këshilli i Atlantikut mbështet nismën që iu shërben 6 vendeve. Kemi rënë dakord për një qëndrim adresuar BE duke e kuptuar situatën në union me bllokimin absurd që i është bërë Shqipërisë dhe RMV. Duke nënvizuar se nuk kemi asnjë lëkundje për të ndërtuar në vendet tona, vende me standarde europiane. BE të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur sa më pranë rajonit. BE të konsiderojë Ballkanin Perëndimor si pjesë të vetën sa i përket krizës së energjisë. Kemi vënë re se fluksi i turistëve nga Serbia dhe Maqedonia është rritur ndjeshëm. Këto shifra ndikojnë në ekonomi. Nga janari të nisë në kufi një relaksim për kompanitë, distributorët, fermerët. Të gjithë fermerët që e kanë të lidhur veprimtarinë me eksportin janë mbështetësit e Ballkanit të Hapur”, përfundoi Rama.