Serbia nuk është një shtet neutral siç pretendon, por është vendosur qartë në anën e Rusisë. Kështu u shpreh Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për CNN, ku foli për rrezikun e përhapjes se tensioneve në rajon, në kontekstin e luftës ruse në Ukrainë. Ai tha se duhet të tregohen vigjilentë, por se nuk i tremben kërcënimit të Serbisë.
“Serbia do paratë e Bashkimit Europian, armët ruse, investimet kineze dhe tolerancën amerikane. Por Serbia nuk është neutrale, mban në anën e Rusisë e prandaj ne duhet të jemi vigjilentë. Ata kanë 42 baza operative rreth Kosovës. Ne nuk kemi frikë. Kemi shtuar 52% të buxhetit për ushtrinë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi ata mund të veprojnë në emër të Rusisë në rajonin e Ballkanit”.
Kreu i ekzekutivit të Prishtinës, shtoi se vendi tij ka pasur luftë hibride, pasi siç thotë, qendra ruse ndodhet në Nish, vetëm disa qindra kilometra larg Kosovës. Në intervistën për Bianca Nobilo, kryeministri foli me tone të ashpra kundër Mokës duke thënë se presidenti Vladimir Putin duhet të përballet me gjykatën për krime lufte.
“Këto krime të tmerrshme që të gjithë po i shohim në lindje të Ukrainës, padyshim se janë krime lufte, dhe tani varet nga hetuesit për të dëshmuar për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Besoj se Kremlini ka urdhëruar tërë makinerinë luftarake të jetë pjesë e këtyre krimeve kundër civilëve të pambrojtur. Vladimir Putin duhet të ballafaqohet me Gjykatën Ndërkombëtare”, tha Kurti.
Mes shqetësimeve për destabilizim në rajon, Kurti e sheh zgjidhjen tek anëtarësimi në NATO, që, siç thotë, është pjesë e historisë së vendit pas bombardimeve për frenimin e gjenocidit serb në Kosovë. Ai tha se nuk beson që Rusia mund të bllokojë hyrjen e Kosovës në NATO.