Bota Ballkani po shndërrohet në rajonin më shqetësues për COVID në Europë

Ballkani po shndërrohet në rajonin më shqetësues për COVID në Europë

Europa po përjeton tashmë fillimet e valës së katërt. Ndërkohë që vende mesdhetare si Italia, Spanja, Portugalia dhe Franca, edhe pse në rritje, po kontrollojnë shifrat edhe falë përqindjeve të larta të vaksinimit, në vendet qendror edhe lindore të kontinentit situata duket shqetësuese.

Në veçanti, dy janë zonat që po shqetësojnë Europën, ajo verilindore e Baltikut dhe Ballkani. Të dy rajonet po regjistrojnë disa nga statistikat më të larta në botë për sa i përket infektimeve.

Letonia ishte vendi i parë i Bashkimit Europian që rikthehu një karantinë 4-javore, pas rritjes së rasteve që po rrezikonin kolapsin në spitalet lokale. Ndërkohë Parlamenti ka miratuar ligin që i jep mundësinë sipërmarrësve të pushojnë nga puna personat që refuzojnë vaksinimin.  Ndërkohë, Estonia po përgatitet për masa të ngjashme dhe Lituania po zgjat periudhën e pushimeve për shkollat në tentativën për të frenuar përhapjen.

Shumë më në jug, në Ballkan, situata duket edhe më shqetësuese, sepse krahas numrit të infeksioneve ka edhe një bilanc vdekjesh të lartë.

Në Greqi ka hyrë në fuqi masa shtrënguese, me shumë aktivitete që tashmë duhet të kërkojnë testin negativ për klientët e tyre, dhe ku nuk mungojnë polemika nga momenti që institucionet religjioze, veçanërisht ajo ortodokse, janë te përjashtuar nga masat.

Rumania javën e kaluar kishte bilancin më të lartë të vdekshmërisë nga COVID në botë, relativisht me popullsinë. Spitalet janë dukshëm në kolaps, dhe pacientët po kurohen në kushte të papërshtatshme, edhe jashtë strukturave spitalore.

Bullgaria ka patur më shumë se 1 mijë viktima javën e kaluar, ndërkohë që autoritetet e vendit më pak të vaksinuar në BE po mundohen të shmangin karantinën, veçanërisht me zgjedhjet e përgjithshme të 14 nëntorit  që po afrojnë.

Serbia ka patur muajin më të vështirë deri më tani, Kroacia ka limituar sërish mbledhjet publike në më pak se 50 veta, sinjalet nuk janë të mira edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje. Edhe në Shqipëri, situata nuk duket pozitive edhe sa i përket përhapjes së virusit, pasi është rritur shumë përqindja e rasteve pozitive.