Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Libero”, ku është fokusuar te fitorja e Giorgia Melonit, të zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit, por edhe për shpalljen e tij “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në nisje të kësaj interviste, Berisha foli mbi rolin e Italisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si një çështje me rëndësi për të ardhmen e Ballkanit, ndërsa solli në vëmendje flukset emigratore së fundmi nga Libia.
Berisha iu referua gjithashtu edhe faktit se për Tiranën zyrtare dhe Kryeministrin Rama më e rëndësishme është ruajtja e marrëdhënieve dhe afrimiteti me Rusinë dhe Turqinë se sa me Evropën dhe kjo sipas Berishës, po e kthen shtetin turk në një vasal.
“Vullneti i Italisë për të dërguar një përfaqësues special në Ballkan për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë – Serbi e kam përshëndetur. Dhe mendoj se bën mirë që interesohet për çështjet ballkanike, kjo edhe për faktin se, kur krijohen probleme në këtë pjesë të Adriatikut, është pikërisht Italia e para që paguan pasojat e flukseve emigratore. Ashtu sikurse me Libinë.
Por, për fat të keq, në Tiranë është një qeveri që shikon më shumë drejt Serbisë dhe Turqisë, se sa drejt Bashkimit Evropian. Kryeministri i vendit, Edi Rama po bën gjithçka mundet për t’u afruar gjithmonë e më shumë me Ankaranë. Madje, një muaj më parë, ka deklaruar se, roli i Turqisë në rajonin e Ballkanit, është jo vetëm i rëndësishëm, por deciziv. Duke u vendosur në këtë mënyrë në një rol vasali”, tha Berisha për “Libero”.
Ai ka folur gjithashtu edhe për vendimin e SHBA-ve për shpalljen e tij “non-grata”, për të cilën u shpreh se askush nuk ka nxjerrë prova që lidhen me të.
“Janë bazuar në deklaratat e shkruara në disa gazeta kundër meje. Unë jam përpjekur gjithmonë të tregoj se jam i gatshëm të përballem me të gjitha akuzat në gjykatat ndërkombëtare, e të tërhiqem nëse ndaj meje dalin prova që vërtetojnë këto akuza, që në të vërtetë nuk ekzistojnë”.
Po ashtu, Berisha ka folur edhe në lidhje me skandalin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal dhe lidhjet e këtij të fundit me kryeministrin Rama, por edhe me paraardhësin e tij, Lulzim Basha.
“Basha më ka thënë se ky agjent ka marrë para nga qytetarët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, por unë mendoj në fakt se paratë vijnë nga Rusia.”
Berisha ndërkohë ka dhënë edhe mbështetjen e tij maksimale për kryeministren e re të vendit, Giorgia Meloni.
“Kam përshëndetur fitoren e qendrës së djathtë, si një hap tepër i rëndësishëm për popullin italian dhe për Evropën.”