Ekonomi Balluku: 9 kompani lider në botë, gati për ndërtimin e parqeve eolike...

Balluku: 9 kompani lider në botë, gati për ndërtimin e parqeve eolike në Shqipëri

Ndërtimi i parqeve eolike në Shqipëri ka tërhequr vëmendjen e kompanive më të njohura europiane në këtë sektor. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e parë Kombëtare Antikorrupsion, bëri të ditur se janë 9 kompani ndërkombëtare të cilat kanë shprehur interes sa i takon ndërtimit të parqeve eolike, me një kapacitet prej 100 megavatësh.

“Një eksperiencë e re, shumë e suksesshme po vazhdon dhe po ndodh në këto momente me tenderin e ndërtimit të impianteve të erës. Një ankand i dytë, pasi atij të impianteve fotovoltaike, impiantet e erës. Në datën 9 qershor, skuadra ime e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me prezencën e skuadrës së BERZH, kanë hapur fazën e parë të shprehjes së interesit përsa i përket këtij ankandi për ndërtimin e parqeve 100 megavat në Republikën e Shqipërisë. Deri më tani janë 9 pjesëmarrës, të cilët janë nga kompanitë më të mëdha europiane. Nga Verbundi austriak, tek Total francez, të cilët kanë shprehur interes për të marrë pjesë në fazën e dytë dhe për të pasur pas një viti një fitues edhe në këtë fushë”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e cilësoi këtë si një dëshmi e garës së hapur që tashmë Qeveria Shqiptare po zhvillon dhe që po tërheq gjithmonë e më shumë kompanitë e huaj. Ky ankand vjen pas dy ankandeve të zhvilluara për dy parqet fotovoltaike, Karavasta dhe Spitallë, të cilat u fituan nga kompania e njohur franceze, Voltalia.

“Këto janë hapat që ne kemi hedhur dhe nëse merren masa konkrete, nëse punohet ashtu siç duhet padyshim Shqipëria mund të bëhet një vend udhëheqës përsa i përket të gjithë iniciativave ekonomike të rajonit, por nga ana tjetër mund të bëhet një vend europian në të gjitha nivelet dhe strukturat administrative”, deklaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se Shqipëria ka bërë hapa para duke ndërmarrë një sërë reformash të cilat po e kthejnë në një vend atraktiv për investitorët.