Aktualitet Balluku: Angazhim për të ulur me 50% fatalitetet dhe lëndimet në aksidentet...

Balluku: Angazhim për të ulur me 50% fatalitetet dhe lëndimet në aksidentet rrugore brenda 10 viteve

Siguria Rrugore ishte në fokus të Konferencës së Nivelit të Lartë të mbajtur në Tiranë ku të pranishëm ishin, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zëvendësministri i Brendshëm i Çekisë, ambasadorë, drejtues të Policisë së Shtetit, drejtues të DPSHTRR dhe ARRSH si dhe ekspertë të fushës.

Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, solli në vëmendje faktin se tashmë siguria rrugore është një çështje globale e cila kërkon vëmendjen e të gjitha vendeve për shkak të numrit të lartë të fataliteteve që sjell. Për të ulur numrin e aksidenteve dhe pasojave të tyre, Balluku e vuri theksin tek vendosja e sigurisë si indikatorin kryesor të matjes së efektshmërisë së sistemeve të transportit.

Duke ju referuar Ministerialit të 3-të Botëror mbi Sigurinë Rrugore, i cili u mbajt javën e shkuar, Balluku tha se 80 ministra nga vende të ndryshime të botës, mes tyre dhe Shqipëria, miratuan Deklaratën e Stokholmit, duke u angazhuar për zbatimin e saj.

“Shqipëria ndërmori angazhimin për zbatimin e planit të masave të parashtruar në deklaratë, për të rritur investimet në infrastrukturë dhe zbatimin e metodave inovative të evidentuara në praktikat më të mira ndërkombëtare, me qëllim përmirësim e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe reduktimin e numrit të fataliteteve si pasoje e tyre. Po ashtu një tjetër angazhim i rëndësishëm ishte ai për të bashkëpunuar në nivel global për krijimin e rrjeteve rrugore më të sigurta dhe për të shpëtuar jetë mbarëbotërisht, duke vendosur si objektiv parësor uljen prej 50% të vdekjeve dhe lëndimeve nga aksidentet rrugore gjatë dekadës që sapo ka filluar”, bëri të ditur Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi ndërhyrjet e bëra nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, për eliminimin e pikave të zeza në akset rrugore, përmes projektit për “Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore” në bashkëpunim me Bankën Botërore, si një nga elementët më të rëndësishëm që ka ndikuar në rritjen e sigurisë rrugore në vend.

Reformat e ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, për forcimin e kritereve në procesin e trajnimit dhe të testimit të drejtuesve të mjeteve, deri në çertifikimin e tyre, por edhe një sërë fushatash ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi që kjo drejtori ka ndërmarrë me fokus sigurinë rrugore, janë një tjetër faktor i rëndësishëm, që ka bërë që në 6 vitet e fundit të reduktohet me 28% numri i aksidenteve në rrugët e Shqipërisë.

“Shqipëria ka shënuar një progres të shkëlqyer në këtë drejtim, pasi rritja e sigurisë rrugore është një prioritet, por edhe detyrë e Qeverisë sonë, të cilës i qasemi me angazhim dhe seriozitet maksimal. Dhe pse gjatë 6-vjeçarit të fundit ka pasur një rritje prej 52% të mjeteve motorike në qarkullim, numri i përgjithshëm i aksidenteve rrugore është reduktuar me 28%, ndërkohë që numri i fataliteteve si shkak i tyre është ulur me 24%”, u shpreh Balluku.

Por më e rëndësishmja, theksoi Balluku, është projekti për ngritjen e Qendrës së menaxhimit të Trafikut Rrugor, për të cilën tashmë janë hedh edhe hapat e parë.

“Më e rëndësishmja, është një projekt i përbashkët dhe shumë ambicioz, realizimi i të cilit do të jepte rezultate të menjëhershme dhe të ndjeshme në rritjen e sigurisë rrugore: Qendra Monitorimit të Trafikut, e cila do mundësojë mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe menaxhimit të trafikut në përgjithësi. Aktualisht, ARRSH është në fazën e fillimit të përgatitjeve të një strategjie për Sistemet Inteligjente të Trafikut, i cili është dhe hap i parë për ndërtimin e kësaj qendre”, deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

2020-ta është shpallur viti i sigurisë rrugore, por duhet punuar çdo moment, çdo ditë dhe çdo vit për të arritur objektivat kombëtarë e global sa i takon sigurisë rrugore, por mbi të gjitha, për të ulur rrezikun dhe zvogëluar pasojat e aksidenteve.