Në aksin rrugor Thumanë-Kashar, pjesë e Korridorit Blu, pothuajse kanë përfunduar plotësisht punimet. Kanë mbetur detajet e fundit të kësaj vepre, e cila do të hapet për qarkullimin e automjeteve duke nisur nga pasditja e datës 30 qershor.
Krahas aksit kryesor po punohet gjithashtu edhe për detajet e fundit për të përmbyllur edhe rrugët dytësore, të cilat do të jenë pa pagesë për të gjithë drejtuesit e automjeteve.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli inspektuan nga afër punimet e fundit që po realizohen në nyjen e Kasharit.
“Punimet kanë përfunduar pothuajse totalisht në të gjithë segmentin. Vetëm nyja e Kasharit është për tu kompletuar me vijëzimet dhe disa elementë të vogla të sigurisë. Ndërsa nyja e Rinasit është totalisht e përfunduar gati për tu aksesuar në datën 30 qershor”, njoftoi Gjyli.
Thumanë-Kashar është i aks i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë, duke ofruar gjithashtu kushte të larta sigurie. Hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut.
“Të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë apo rrugët dytësore të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese. Në ndërkohë duhet thënë që jemi në proces negocimi të kontratave të tjera, disa prej tyre janë drejt lidhjes dhe menjëherë ashtu siç ky kantier eci me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duhet të themi që ky është një nga kantieret të dorëzuara në kohë rekord, pavarësisht gjithë problematikës që kemi pasur me shpronësimet. 1 vit e 3 muaj dhe është bërë një punë e shkëlqyer si nga konçesionari, ashtu edhe nga ARRSH-ja edhe nga Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve në një bashkëpunim të plotë të mbikëqyrur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të qenë gati sot për të dorëzuar këtë vepër vetëm në 15 muaj në total dhe kështu shpresojmë që të shkojmë dhe me lotet e tjera”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se të gjitha segmentet e Korridori Blu do të jenë me pagesë, pasi do të jenë akse të shpejtësisë së lartë, por në dispozicion të qytetarëve do të jenë edhe rrugët dytësore të cilat do të jenë pa pagesë.
“Me këtë autostradë të parë të kategorisë A dhe pas pak ditësh me hapjen e tunelit të Llogarasë ne do të fillojmë që të dorëzojmë infrastrukturat e para të cilat nuk kanë asgjë për të qenë ndryshe nga ato të Bashkimit Europian”, u shpreh Balluku.
Zëvendëskryeministrja bëri të ditur se pasditen e 30 qershorit Thumanë-Kashar do të hapet plotësisht për qarkullimin e automjeteve.