Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në zonën e Dhërmiut, në bashkinë e Himarës, ku inspektoi nga afër zbatimin e aktit normativ për trajtimin e ujërave të ndotur nga subjektet hoteliere që operojnë përgjatë bregdetit. Në terren ndodhen inspektorët e Task Forcës, të cilët monitorojnë procesin në çdo hap të tij.
Edhe në zonën e Dhërmiut subjektet kanë nisur të instalojnë këto impiante, duke ju përgjigjur pozitivisht këtij vendimi, në prag të nisjes së sezonit turistik. Në zonën e Dhërmiut janë 190 subjektet që preken nga ky akt normativ, i cili ka në fokus, përmirësimin e cilësisë së shërbimit.
Administratori i AKUK, Klevis Jahaj tha se i gjithë procesi i instalimit të impianteve po realizohet në këtë periudhë, ku edhe strukturat hoteliere kanë nisur përgatitjet për sezonin e ardhshëm, duke mos krijuar kështu pengesa për asnjë prej tyre.
“Grupet tona të Task Forcës kryejnë kontrollin duke marrë në kontakt në radhë të parë subjektin, të dhënat tregtare të subjektit në lidhje me kapacitetet akomoduese që kanë ose të njësive të shërbimit. Mundohemi që mos të krijojmë pengesa edhe pse gjatë këtij sezoni, edhe prandaj është zgjedhur ky afati i instalimit të panelit pasi subjektet janë në fazën që po rregullojnë ambientet duke u bërë gati për sezonin e ri turistik”, tha Jahaj.
Ministrja Belinda Balluku vlerësoi reagimin e subjekteve hoteliere të cilat tashmë janë bindur mbi nevojën e trajtimit të ujërave të ndotur, i cili ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit. Balluku tha se aksioni është fokusuar kryesisht në zonat bregdetare, ku akomodohet edhe fluksi më i madh i vizitorëve.
“Në bazë të aktit normativ që ne kemi ndërmarrë për mbrojtjen e ujërave larës kemi nisur një punë e cila ka qenë e gjatë përsa i përket informimit dhe sensitivizimit të të gjitha subjekteve që operojnë afër ujërave larës. Pas një periudhe dhe bisedave konstruktive që kemi pasur me ta kemi arritur në rezultatin që me të vërtetë janë angazhuar, e kanë kuptuar që i gjithë ky aksion ka të bëjë edhe me vlerësimin dhe rritjen e krediteve për bizneset e tyre kështu që na janë përgjigjur në mënyrën më të mirë”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkoi që ekipet e inspektorëve të mos krijojnë asnjë pengesë për asnjë subjekt. “Jemi shumë të kujdesshëm për ta bërë punën pa shqetësuar, ndërkohë që subjektet po bëhen gati për tu hapur. Task Forca, ashtu edhe grupet e tjera që kanë të bëjnë me çështjet e ujësjellës kanalizimeve duhet të shkojnë për të kontrolluar, por pa i shqetësuar subjektet pasi është lajm shumë i mirë që ky sezon do nisë shumë më shpejt nga sezoni i kaluar”, nënvizoi Balluku.
Agjencia Europiane për Ujërat Larës për vitin 2022 klasifikoi 67.5% të ujërave larës në Shqipërisë me cilësi “shkëlqyeshëm”, ndërkohë që synohet që përmes këtij procesi të arrihet në 95% të ujërave larës me cilësi “shkëlqyeshëm”.