Në bypass-in e Tepelenës punimet po vijojnë me intensitet në të gjithë gjatësinë e tij dhe tashmë kanë përfunduar afro 70 përqind e tyre. Punimet për mbrojtjen lumore kanë përfunduar plotësisht, ndërsa po vijon puna në kilometrin e parë dhe të dytë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, inspektuan ecurinë e punimeve.
Drejtori Verdho bëri të ditur ecurinë e punimeve, teksa tha se ato janë ndarë në disa faza. “Jemi ndarë në fazat e mbrojtjes lumore, në fazën e kilometrit të parë, që është vepër arti e gjitha, një nga veprat që është aplikuar për herë të parë në Shqipëri me një karrexhat konsol 6 metra, është vepër inxhinierike e standardit të lartë dhe fazën e kilometrit të dytë që është zgjerimi i karrexhatës ekzistuese, duke e sjellë në parametrat e një rruge të kategorisë C. Mbrojtja e kalasë është bërë me këtë vepër, duke bërë mbrojtjen lumore dhe bypass-in njëkohësisht”, sqaroi drejtori i ARRSH.
Ministrja Belinda Balluku vlerësoi rëndësinë e kësaj vepre, teksa njoftoi se ka marrë rrugën e zgjidhjes edhe problematika e krijuar me shpronësimet, duke mos krijuar kështu pengesë për vijimin e punimeve.
“Nga fillimi i shtatorit ARRSH ka marrë dosjen nga ministria dhe jeni duke bërë plotësimet e fundit, pasi ne shpesh herë problematika na vjen edhe nga vetë pronarët, të cilët dëshirojnë të shpronësohen, por nuk sjellin dokumentacionin e duhur”, theksoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh gjithashtu se ndërtimi i bypass-it të Tepelenës, jo vetëm do të lehtësojë trafikun, por do të jetë gjithashtu edhe një pikë turistike për qytetin.
“Nuk është thjesht një bypass, i cili do të ndihmojë dhe do të shfryjë të gjithë trafikun, që kalonte nga brenda qytetit, por është një vepër shumë e rëndësishme dhe për vetë Tepelenën si qytet, pasi poshtë kemi krijuar shëtitoren buzë lumit, që e kthen në një pikë turistike me interes shumë të madh. Kemi ndërhyrë dhe kemi sistemuar urën e vjetër. Ndaj i gjithë fokusi i ARRSH-së duhet të jetë këtu, për t’i dhënë dhe mundësi kompanisë që t’i zgjidhim të gjitha problematikat dhe puna të ecë me shpejtësi”, u shpreh ministrja Balluku.
Ndërtimi i bypass-it të Tepelenës do të bëjë të mundur lidhjen e dy segmenteve të rëndësishme, Levan-Tepelenë dhe Tepelenë-Kakavijë, duke lehtësuar në këtë mënyrë qarkullimin, por njëkohësisht duke rritur edhe sigurinë rrugore në këtë segment.