Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Rrugore, zhvilloi një inspektim në aksin rrugor kthesa e Kasharit-Aeroporti i Rinasit, si përgjigje ndaj shqetësimit të banorëve për problematikën dhe rrezikshmërinë që paraqesin kryqëzimet e këtij aksi.
Duke sjellë në vëmendje faktin se aksi në fjalë ka një frekuencë të lartë të lëvizjes së automjeteve dhe për pasojë numri i aksidenteve të ndodhura për gjatë tij është shqetësues, ministrja Balluku kërkoi nga ARRSH dhe kompania e mirëmbajtjes e rrugës që të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për të ndryshuar situatën në këtë aks.
“Ne duhet të gjejmë zgjidhje për komunitetin, duhet të rrisim sigurinë rrugore. Ky është synimi jonë. Duhet të zbatojmë Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore dhe absolutisht, si gjithmonë, qytetarët janë të parët dhe gjithçka që ata e shfaqin si problem, ne duhet të tregojmë reagim të menjëhershëm”, ka theksuar Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë është zotuar se ndërhyrjet përmirësuese në këtë aks shumë të rëndësishëm, do të jenë të dukshme menjëherë në ditët në vazhdim dhe para fillimit të sezonit veror do të kemi një zgjidhje të sigurtë dhe të qëndrueshme për tre udhëkryqet e rrugës Qafa e Kasharit – Aeroport.
Nga ana e saj, drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato theksoi se gjatë vitit 2018 ka pasur një vëmendje të shtuar në eliminimin e pikave të zeza në akset rrugore kombëtare, vëmendje e cila do të shtohet gjatë këtij viti.
Gjatë inspektimit, përfaqësuesi i kompanisë që mirëmban këtë aks rrugor shpjegoi teknikisht edhe mundësitë e ndërhyrjes për të sistemuar kryqëzimet në këtë rrugë. “Mundësitë fizike këtu janë sepse është fushë nga të dyja anët dhe mund të bëhet një zgjidhje me zgjerimin e korsive, me korsitë e përshpejtimit, me korsinë e pritjes në mes dhe me korsinë tjetër për ata që dalin për ta bërë këtë kryqëzim një kryqëzim të rëndësishëm jo vetëm për efekt të trafikut por edhe për efekt të konfiguracionit që do ketë. Sepse është një kryqëzim i rëndësishëm për trafikun por nuk ka rëndësinë që i jepet nga konfiguracioni i rrugës”, ka thënë inxhinieri i kompanisë.