Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte e pranishme në Ministerialin e Bashkëpunimit Transatlantik të Energjisë dhe Klimës (P-TECC) të zhvilluar në Poloni dhe të organizuar nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Balluku njofton se takimi kishte në fokus bashkëpunimin strategjik mes vendeve europiane dhe Shteteve të Bashkuara, për masat e menjëhershme dhe afatgjata që duhen ndërmarrë për reduktimin e dëmit që shkakton ndryshimi klimaterik një pjesë e konsiderueshme e mënyrave të prodhimit të energjisë.
Balluku shkruan më tej se ndau me të pranishmit përvojën e Shqipërisë sa i takon diversifikimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Në ministerialin e P-TECC, organizuar nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, diskutuam për bashkëpunimin strategjik mes vendeve europiane dhe SHBA, për masat e menjëhershme dhe afatgjata që duhen ndërmarrë për mitigimin e dëmit që shkakton ndryshimin klimaterik një pjesë e konsiderueshme e mënyrave të prodhimit të energjisë. Në fokus të veçantë ishte dhe siguria energjetike. Ndava me koleget e mi në panelin ministerial eksperiencën e Shqipërisë për diversifikimin e burimeve të rinovueshme dhe sigurinë energjetike që tashmë është kërkesë dhe aksion i përhershëm për të gjithë infrastrukturën kritike në fushën energjetike”, shkruan ministrja Balluku.
Nisma P-TECC u krijua si një mundësi për rritjen e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore për sigurinë e energjisë dhe kalimin në ekonomi të pastra, neutrale ndaj karbonit.