Ekonomi Balluku në Athinë: Projekte konkrete për shtimin e burimeve të energjisë së...

Balluku në Athinë: Projekte konkrete për shtimin e burimeve të energjisë së rinovueshme dhe linjat e reja të transmetimit

Në Athinë u mbajt takimi i radhës i Ministerialit për Europën Qendrore dhe Juglindore sa i takon interkonektivitetit energjetik. Dekarbonizimi dhe siguria energjetike ishin në fokus të takimit.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte pjesë e këtij takimi, teksa në një prononcim për media njoftoi mbi detajet e diskutimeve të zhvilluara në këtë Ministerial.

Balluku tha se gjatë Ministerialit u diskutuan të gjitha masat rregullatore që duhen ndërmarrë, me mbështetjen edhe të Sekretariatit të Energjisë, nisma të cilat nisin nga energjia e rinovueshme, tek ajo nukleare, por edhe gazi e ku Bashkimi Europian do të mbështesë vendet në këto iniciativa.

“Kam prezantuar të gjitha arritjet e Republikës së Shqipërisë në fushën energjetike, sidomos në vitin 2023, ku kemi pasur një sërë prej tyre. Viti 2024 ka nisur me një hap të rëndësishëm përsa i përket diversifikimit të burimeve dhe kam ndarë me të gjithë kolegët e mi sesi Shqipëria tashmë ka të angazhuar 1 gigavat në energji të rinovueshme përmes ankandeve transparente që ne jemi duke implementuar në vendin tonë, sigurisht me mbështetjen e partnerëve tanë të Bashkimit Europian apo edhe të bankave europiane”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal gjithashtu edhe tek projektet të cilat kanë të bëjnë me linjat e interkonjeksionit.

“Këto kapacitete të cilat ngrihen dita ditës kanë nevojë për interkonjeksion. Një interkonjeksion që tashmë po shkon në një nivel tjetër. Shqipëria ka nisur punën për projektin e ndërlidhjes energjetike me Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, Shqipëria është duke punuar ngushtësisht për të nisur projektin me Greqinë për të dyfishuar linjën e transmetimit dhe në ndërkohë, kam ndarë gjithashtu me kolegët e mi, dhe lajmin e mirë që së bashku me Operatorin e Transmetimit Italian, Operatori i Transmetimit Shqiptar është duke nisur një studim fizibiliteti përsa i përket linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë dhe Italinë”, nënvizoi Balluku.

Por jo vetëm këto, përmes bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, Shqipëria mund të jetë pjesë e projekteve që po zhvillohen edhe në vendet fqinje. Gjatë Ministerialit u diskutua edhe mbi iniciativa të tjera që do të ndërmerren gjatë vitit 2024, ku për vendet të cilat aspiorojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian, prioritet mbetet përafrimet ligjore me BE-në.