Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka informuar investitorët gjermanë me të gjitha skemat e taksimit dhe incentivat që po aplikohen në vendin tonë në takimin e zhvilluar sot në Berlin.
Ministrja deklaroi se ka diskutuar me të gjithë partnerët përsa i përket sfidave që ka Europa dhe vendet e vogla, ashtu siç klasifikohet Shqipëria, Luksemburgu, Hungaria dhe vende të tjera.
“Mora pjesë në disa nga këto panele për të diskutuar dhe për të dhënë eksperienca më të mira që Shqipëria tashmë po aplikon, si për industrinë turizmit ashtu dhe për t’u bërë sa më tërheqëse për investitorët e huaj. Gjatë ditës së sotme patëm mundësi që të uleshim dhe me një pjesë të investitorëve gjermanë të cilët janë të interesuar për të investuar në vendin tonë dhe për t’i informuar ata për të gjithë skemat e taksimit, apo dhe të gjithë incentivat që po aplikohen në vendin tonë”, ka deklaruar Balluku.
“Dialogu Global i Berlinit mbetet një nga Forumet më të rëndësishme dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë rast për të promovuar veten e saj në të gjitha këto Forume ndërkombëtare dhe për të bërë të ditur për të gjithë investitorët e huaj se tashmë vendi plotëson çdo kusht për t’u konsideruar si një vend i Bashkimit Europian, duke pasur dhe parasysh hapjen e negociatave që ne presim në ditët në vijim”, tha Balluku.