Hidrocentrali i Komanit, i pozicionuar mes Vaut të Dejës dhe Fierzës, luan një rol kyç, duke shërbyer si rregullator i kaskadës së lumit Drin, veçanërisht në periudha ku intensiteti i reshjeve është i lartë. Menaxhimi i mirë i këtij HEC-i, ashtu si i gjithë zinxhirit të veprave hidroenergjitike në kaskadën e Drinit, gjatë muajit janar ka ndikuar pozitivisht në mbrojtjen e zonës së nënshkodrës nga përmbytjet. Pavarësisht përmirësimit të motit, në këtë hidrocentral të gjitha kapacitetet vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo situatë që mund të paraqitet.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte në hidrocentralin e Komanit ku pa nga afër punën që po bëhet dhe masat e marra për të menaxhuar situatën e krijuar nga niveli i lartë i reshjeve, që u regjistruan gjatë muajit janar. Ministrja u njoh nga Drejtori i Njësisë së Prodhimit në këtë hidrocentral, Kujtim Prroni, edhe me investimet që janë realizuar në këtë vepër dhe që kanë ndikuar në rritjen e gatishmërisë në këtë HEC.
Menaxhimi i situatës, në koordinim të plotë mes të gjitha strukturave, dhe masat e marra në kohën e duhur, sollën një minimizim të dëmeve si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
“Kaskada është menaxhuar në mënyrën më të mirë. Kemi prodhuar ndjeshëm dhe i kemi mbajtur nën kontroll prurjet, duke mos krijuar kështu përmbytje në zonën e Nënshkodrës, siç zakonisht është bërë. Kjo vjen edhe për shkak të punës së mirë që është bërë nga të gjithë së bashku, organizimi dhe në koordinim të plotë me Komitetin e Plotave, i cili ka qenë gjatë gjithë kohës në koordinim me të gjitha hidrocentralet e tjera, qoftë atë të Fierzës, qoftë Vaun e Dejës”, u shpreh Balluku.
Në këtë hidrocentral nuk kanë munguar as investimet, ku është ndërhyrë për mirëmbajtjen dhe portat e shkarkimit. Ministrja Balluku theksoi se këto investime janë garantuar përmes Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian. Por, investimi më i rëndësishëm që pritet në nisë në sektorin hidro-energjetik të vendit është ai për ndërtimit e hidrocentralit të Skavicës.
“Jemi në kaskadën e Drinit, kaskada më e rëndësishme që ne kemi, aty ku janë të alokuar të gjithë hidrocentralet, mbi 90% apo edhe më shumë, të energjisë së prodhuar në vend, por që së shpejti, sipas të gjitha projekteve dhe planeve të qeverisë ne këtu do nisim dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, pas një marrëveshje që kemi bërë me shtetin amerikan, dhe puna ka nisur për gjetjen e fondeve dhe për dizenjimin e atij projekti kaq ambicioz”, nënvizoi Balluku.
Sa i takon investimeve në HEC Koman, drejtori Prroni bëri të ditur se janë rehabilituar porta e mirëmbajtjes numër 3, porta e mirëmbajtjes numër 4 dhe porta e shkarkimit numër 4, ndërsa në muajin maj të këtij viti pritet të nisë rehabilitim i portës së shkarkimit numër 3.