Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishte e pranishme në Ministerialin e zhvilluar në kuadër të COP 28, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Trefishimi i fuqisë së instaluar të burimeve të rinovueshme në shkallë globale si dhe vendosja e efiçencës së energjisë në folus të çdo projekti e politike ishin dy nga pikat kryesore të takimit.
Balluku u shpreh se në këtë takim të nivelit të lartë ka paraqitur të gjitha arritjet në fushën energjetike përsa i përket diversifikimit të burimeve të rinovueshme që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë.
“Gjatë Ministerialit të zhvilluar në kuadër të COP 28, sot në emër të Qeverisë Shqiptare dhe në emër të Kryeministrit Rama, kam arritur që të paraqes të gjitha arritjet në fushën energjetike përsa i përket diversifikimit të burimeve të rinovueshme që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë, sigurisht të gjitha projektet e reja të cilat do të kontribuojnë në ato targete që unë përmenda, por edhe në politikat që Qeveria Shqiptare do të ndërmarrë në të ardhmen dhe sidomos të gjithë incentivat dhe i gjithë motivimi që ne kemi dhënë për efiçencën e energjisë duke qenë të bindur se është çelësi i suksesit për të arritur të gjitha targetet e mundshme”, tha Balluku.