Zv/kryeministrja Belinda Balluku u pyet këtë të mërkurë pas mbledhjes së qeverisë në lidhje me sulmet kibernetike nëse ka pasur të tjera tentativa. Ajo u shpreh që nuk ka indicie që të ketë pasur sulme të tjera.
Ndër të tjera, zv/kryeministrja u pyet edhe për kampin MEK në Manëz dhe nëse qeveria ka marrë masa shtesë. Balluku theksoi se duke pasur parasysh edhe situatën vëmendja është shtuar atje.
Ajo theksoi se qeveria është duke e diskutuar në tryeza konstruktive të gjithë marrëdhënien dhe të gjithë fushën e lirisë së veprimit që ka MEK. Ajo u shpreh se muxhahedinët kanë ardhur në Shqipëri si një grup për mbrojtje humanitare dhe jo një grup politik.
Pyetje: Veç sulmit nga Irani a ka patur tentativa të tjera për të sulmuar Shqipërinë nga hakera rusë dhe serbë dhe së dyti, lidhet me pyetjen e parë, pas sulmeve të vazhdueshme të Iranit qeveria shqiptare a ka marrë masa shtesë për kampin e muxhahedinëve në Manëz dhe nëse po çfarë masash?
Belinda Balluku: Sa i përket sulmeve të tjera ne kemi një vendim të cilin e kemi shpërndarë. Nga të gjitha analizat që kanë dalë ka qenë një komunikim me publik dhe e kemi thënë qartë se nga cila strukturë ka ardhur sulmi. Nuk na rezulton që të kemi indicie të tjera për sulme të tjera të paktën nga analizat që janë bërë. Sulmet kibernetike në ditët e sotme janë kthyer në një normalitet. Nëse ju do të flisni me një nga drejtuesit e bankave do t’ju tregojnë se sa sulme ditore ka secila strukturë bankare apo telefoni celulare. Në rastin e sulmit të Korrikut dhe atij të Shtatorit padyshim kemi një sulm të organizuar dhe vjen nga 4 burime. Ka pasur si synim “Zero Clear Wipe Out” për të fshirë të gjitha sistemet tona dhe nuk ia ka dalë që të arrinte atë rezultat dhe siç është thënë vinte nga ministria e Inteligjencës së Iranit. Ndërkohë të gjitha të tjerat siç thashë nuk kemi indicie.
Sa i përket kampit MEK ne kemi vëmendje. Ministria e Brendshme e cila ka qenë gjithmonë le të themi pjesa e qeverisë që ka pasur vëmendje në kampion MEK… MEK-ët në Republikën e Shqipërisë kanë një marrëveshje me qeverinë përsa i përket aktiviteteve të lejuara dhe të palejuara. Në këto momente sigurisht kemi një vëmendje të shtuar. Jemi duke e diskutuar në tryeza konstruktive të gjithë marrëdhënien dhe të gjithë fushën e lirisë së veprimit që kanë. Nuk duhet harruar që MEK kanë ardhur në Shqipëri si një grup për mbrojtje humanitare dhe nuk kanë ardhur si një grup politik. Kështu që patjetër ne e kemi një vëmendje atje.